English

Kosove - Qeveria Pershendet Deklaraten E Grupit Nderkombetar Drejtues

PRISHTINË, 15 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Kryeministri Hashim Thaçi sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka përshëndetur deklaratën e Grupit Ndërkombëtarë Drejtues, pas takimeve të zhvilluara dje në Prishtinë. "Në emër të Qeverisë përshëndes deklaratën e Grupit Ndërkombëtar Drejtues për hapat e mëtejshme zhvillimore në Republikën e Kosovës dhe për progresin e arritur në Kosovë", është shprehur Thaçi. Ai e ka vlerësuar deklaratën si një dëshmi të mbështetjes unike ndërkombëtare për Kosovën, për konsolidimin e institucioneve shtetërore të vendit, për zbatimin e kritereve demokratike në të gjitha sferat dhe për përgatitjet që Kosova ka bërë për të pritur sa më e koordinuar me gjithë partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. "Shpallja e mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të hape një kapitull të perspektivës euroatlantike për Kosovën në NATO dhe Bashkimin Evropian", ka theksuar kryeministri Thaçi. "Në të njëjtën kohë, dua të theksoj, se do të hapet edhe kapitulli i njohjeve të reja dhe Kosova gradualisht do të hapë dialogun për liberalizimin e vizave dhe do të ketë mbështetje unike nga Bashkimi Evropian dhe gjithë partnerët tjerë ndërkombëtarë", ka vlerësuar kryeministri Thaçi në hapje të mbledhjes së Qeverisë. Qeveria e Kosovës ka miratuar Projekt-Strategjinë për Sigurinë e Republikës së Kosovës. "Jemi duke punuar që të ndërtojmë një shtet paqësor, multietnik dhe demokratik që garanton liritë kushtetuese dhe që askush të mos diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë ose mendimeve politike në Kosovë" është shprehur kryeministri Thaçi. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka njohur kabinetin qeveritar me kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë, në bazë të marrëveshjes paraprake, për një memorandum të bashkëpunimit për trafikun, sipas të cilit, patrullat policore të Kosovës dhe ato të Shqipërisë do të patrullojnë bashkë prej Morinës deri në Kukës. Ky memorandum do të nënshkruhet nesër dhe do të rrisë sigurinë në trafik për qytetarët tanë. /a.ke/
KOMENTE