English

Matura- Nis Provimi I Matematikës

TIRANE, 15 Qershor/ATSH/- Mbi 37 500 maturantë në rang vendi nisin sot provimin e dytë të Maturës Shtetërore, Matematikën. Teza e përgatitur parashikon që 60 % e tezës së provimit të jetë nga temat tashmë të shpërndara në programet orientuese për lëndët e provimit. Testi i provimit përmban 25 kërkesa, për të cilat në total, një maturant duhet të mbledhë 50 pikë. Profili i shkollës së mesme do të specifikojë edhe llojin e testit që maturanti do të plotësojë në ditën e provimit. Po në varësi të profilit është detajuar edhe shkalla e vështirësisë së pyetjeve. Bazuar në skemën hartuese për çdo linjë të përmbajtjes, do të përfshihen kërkesat e tri niveleve të vështirësisë, duke filluar prej nivelit minimal. Pyetjet e testit do të jenë dy llojesh: me zgjedhje të shumëfishtë dhe me shtjellim të argumentuar. Koha e përcaktuar në dispozicion të çdo nxënësit për të dhënë përgjigjet e sakta do të jetë vetëm 2 orë e 30 minuta. Maturantët përgjatë kohës përgatitore janë njohur edhe me rregulloren e provimit, e cila ndalon kopjimin, mbajtjen e çdo mjeti komunikimi etj. Këtë vit në rregulloren e maturës është përcaktuar që zhvillimi i provimeve të bëhet sa më herët, në mënyrë që, kur të nisë plotësimi i formularit A-2, nxënësit të mund të bëjnë vetë përllogaritjet e rezultatit final./e.gj//n.m/
KOMENTE