English

Huff: Usaid Do Te Mbeshtese Zhvillimin E Bujqesise Ne Shqiperi

-Deklaron Sean Huff, përfaqesues i USAID në Shqipëri- TIRANE 17 Qershor /ATSH-E.Xhajanka/- Përfaqesues i USAID për programet e bujqësisë në Shqipëri, Sean Huff, deklaroi pak ditë më parë në Kongresin e 3-të të Këshillit të Agrobiznesit Shqiptrar, se "USAID në vitet në vazhdim, do të shohë mundësinë e forcimit të partnershipit me KASH-in, misioni i të cilës është që tu shërbejë bujqve dhe agrobiznesit shqiptar". Sipas Huff, përvoja e grumbulluar nga KASH gjatë këtyre 10 vjetëve, përfshirë dhe negocimin e Marrëveshjeve të Tregëtisë së Lirë, anëtarësia në Bordin Këshillimor për Biznesin dhe prania në formulimin e strategjive dhe politikave kombëtare, duhet ta bëjë KASH-in më të aftë të luajë një rol edhe më të rëndësishëm në rritjen e qëndrueshme të sektorit bujqësor në Shqipëri si dhe në integrimin në tregun bujqësor europian. Kur USAID nisi mbështetjen për zhvillimin e bujqësisë së qëndrueshme në Shqipëri 20 vjet më parë, vëndi po kalonte nga një ekonomi e centralizuar në një ekonomi tregu. "Që atëhere, fokusi i ndihmës së dhënë nga ne, ka evoluar nga sigurimi i ushqimit dhe në ndihmën për ekonomi të vogla për mbijetesë, në ndihmën për prodhimin për treg dhe promovim të tregëtisë", tha Huff. Ndërsa sot, sipas tij, Shqipëria po përballet me një rritje të deficitit tregëtar bujqësor, ku importi i mallrave bujqësore është deri 9 herë më i madh se ekporti i tyre. "Ndaj reduktimi i këtij defiçiti është një kërkese kritike dhe urgjente, nëse Shqipëria synon të arrijë një rritje të qëndrueshme të zhvillimit bujqësore si dhe përmirësimin e mirëqënjes së popullsisë, që jeton në fshat", thekson Huff. Gjatë shumë viteve, ndihmesa e dhënë nga USAID-i është përqëndruar në rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit bujqësor si në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar. Programet e USAID-it, janë përqëndruar tek bujqit dhe aktorët e tjerë të vargut të vlerës me disa kultura fitim-prurëse në përmirësimin e prodhimtarisë e tyre, rritjen e kreditit tregtar dhe përmirësimin e politikave ekonomike. "Ndonëse programet tona kanë dhënë kontributin e tyre në rritjen e sektorit bujqësor, përmirësimi i konkurrueshmërisë së këtij sektori nuk kërkon vetëm asistencën e donatorëve", thotë Huff. Sipas tij, qeveria, komuniteti i bizneseve private, aktoret e shoqërisë civile si KASH-i duhet të bashkërendojne forcat në shpejtimin e transformimit të Shqipërisë në një lojtar konkurrues në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare. "Nje partneritet i mirë ndërmjet aktorëve të këtij proçesi do të ndihmojë në kalimin e shumë sfidave që ekzistojnë përpara", tha Huff. Sipas tij, "rritja e mirëqënies në Shqipëri do të bëhet e mundur vetëm nëse do të kemi një sektor bujqësor të fuqishëm". Shqipëria ka 50% të popullsisë në zonat rurale dhe bujqësia jep afërsisht 20% të Prodhimit Kombëtar Bruto(GDP)./n.m/
KOMENTE