English

Pacienti, Apo Familjarët, Deklaratë Konsensusi Për Ndërhyrjen Mjekësore

- Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, kjo praktikë europiane rrit nivelet e sigurisë dhe korrektesës në strukturat publike shëndetësore shqiptare - TIRANË, 17 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Pacienti i cili do t'i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale, apo personat e tjerë ligjorë të ngarkuar prej tij, do të miratojnë një deklaratë konsensusi për njohjen e komplikacioneve, një praktikë kjo që njihet në gjithë vendet e zhvilluara. Nëpërmjet urdhrit të ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, kjo praktikë europiane, do të aplikohet edhe në sistemin shëndetësor shqiptar, spitale apo dhe poliklinika. Një praktikë e tillë sanksionon transparencën dhe ndihmon në rritjen e përgjegjësive në marrëdhënien mjek-pacient-sistem shëndetësor, duke ngritur në këtë mënyrë nivelet e sigurisë dhe korrektesës në strukturat publike shëndetësore shqiptare. Gjithashtu, ajo mundëson përfshirjen e standardeve europiane në dokumentacionin shtetëror, bëri të ditur sot zëdhënësja e MSH, Alisa Demollari. Në sistemin publik shqiptar në tërësi ka munguar ky element shumë i rëndësishëm i komunikimit mjek-pacient, që ka të bëjë me informimin e pacientëve mbi komplikacionet e mundshme, lidhur me procedurat kirurgjikale/invasive apo të tjera mjekësore. MSH konsideron se "marrëdhënia mjek-pacient si edhe pacient-sistem shëndetësor në tërësi mund të funksionojë vetëm mbi bazë të transparencës dhe informimit të qartë mbi çdo procedurë, të cilës pacienti i nënshtrohet dhe sistemi shëndetësor ofron". "Standardizimi i shërbimit spitalor është një sfidë pa kthim e çdo shëndetësie që ndryshon e në mënyrë të veçantë edhe në shëndetësinë shqiptare ku reforma e standardizmit dhe e monitorimit të veprimtarisë mjekësore ka patur ndikimin e saj", vlerëson MSH. /s.s./
KOMENTE