English

Turizem/Shqipëria, Pjesë E Paketës Turistike "Thesaret E Ballkanit"

- Drejtore e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Franka Paloka në një intervistë për ATSH-në- TIRANË, 17 Qershor/ ATSH-Suada Daci/- Promovimi i turizmit shqiptar sivjet është shtrirë edhe në disa vende të Europës Qëndrore, si Cekia, Hungaria, Bosnje-Hercegovina, Sërbia, etj, që kanë shprehur interes të vecantë. Në një intervistë esksluzive për ATSH-në, drejtore e Agjencisë Kombëtare të Turizmit (AKT), Franka Paloka tregon tendencat e interesit në rritje të turistëve të huaj për Shqipërinë, ku drejtimet kryesore mbeten turizmi kulturor, natyror, bregdetar si dhe promovimin e në panairet e mëdha botërore të turizmit. "Shqiperia ka dale nga faza e nje vendi, per te cilin nuk njihej asgje dhe tashme eshte bere atraktive per produktin e saj turistik natyror dhe kulturor", shprehet Franka Paloka, duke treguar rastin më të fundit kur një tur-operatorësh nga Japonia të interesuar kryesisht per kulturen e vendit tone, në fund të muajit maj vizituan Shqiperinë. "Ata e vizituan Shqiperine ne kuadrin e nje vizite rajonale Shqiperi, Maqedoni, Serbi dhe synojne te krijojne paketa per t'u shitur ne panairet e tyre me te aferta", shprehet Paloka. "AKT po punon për prodhimin e broshurave të ndryshme promocionale, që japin një informacion të plotë mbi turizmin në Shqipëri, zhvillimin e spoteve televizive, të cilat janë zhvilluar jo vetëm në rajon për Maqedoninë dhe Kosovën, por edhe për vende të tjera. Kështu për Çekinë, Hungarinë, Serbinë, Bosnje- Hercegovinën, tregje me tendenca në rritje, u mendua që spotet promocionale janë me efikasitet të zhvillohen atje", thotë Paloka. Në tërheqjen e turistëve në Shqipëri këtë vit, AKT ka ndërmarrë disa fushata promovuese me pjesëmarrjen e saj në panaire ndërkombëtare, mes të cilëve, i Berlinit, Milanos, Kosovës, Moskës. Sipas Palokës, pjesëmarrja në panairet botërore turistike ndikon shumë në rritjen e interesimit të të huajve për vlerat ende të panjohura të Shqipërisë. "Aktiviteti i promocionit, ose teknikat e tij shkojnë në përputhje me zhvillimin e produktit turistik për Shqipërinë, pasi janë gjithmonë teknika që nxisin informacionin për në një vend të caktuar, që detyrimisht sjell rritje të numrit të turistëve", thotë drejtore e AKT-së. Vlerat e një lloj nxitjeje të tillë i kanë ndjerë agjencitë promovuese turistike në vendet e rajonit të Ballkanit, të cilat u bënë pjesë e një projekti rajonal 2-vjeçar, i mbështetur nga një Program gjerman i GTZ-së, që synoi dhe realizoi prezantimin me një paketë promovuese të vendeve të rajonit tonë në disa panaire botërore, c'ka ndikoi dukshëm në rritjen e numrit të turistëve të huaj për t'i vizituar ato. Me përfundimin e projektit dhe sidomos përfitimet që ndjenë në dy vitet e fundit, sivjet këto shtete kanë vijuar bashkëpunimin për promovimin e vlerave turistike për secilin si dhe ofrimin e një produkti turistik rajonal. "Një risi që vlen të përmendet këtë vit është fakti se për herë të parë vendet e rajonit si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnje- Hercegovina dhe Serbia do të dalin me një logo të përbashkët në prezantimin e tyre në panarin turistik në Keln (Gjermani) me një stendë të përbashkët, nën emrin "Thesaret e Ballkanit", tregon drejtore e AKT-së, Franka Paloka. "Tani po përgatitemi dhe për dy panaire të tjera, në Kelhn (Gjermani) në 27-29 korrik dhe ai i Londrës që zhvillohet kryesisht në muajin nëntor", shton Paloka. Vetë ndihet optimiste për rezultatin përfundimtar. "Ballkani do t'a shesë veten si një destinacion i përbashkët dhe Shqipëria, si pjesë e këtij destinacioni, do të përfshihet në paketat e tyre, të cilat do të prezantohen në panairet në Japoni", thotë ajo. Paloka ndalet edhe tek veçantitë që ofron turizmi në Shqipëri, ndryshe nga vendet e tjera. "Trashëgimia kulturore dhe identiteti kulturor e bën Shqipërinë të ndryshme nga vendet e tjera dhe turistët janë shumë të interesuar të njohin identitetin, kulturën dhe të prekin jetën reale të një komuniteti lokal", thotë ajo. Në 21 maj MTKRS çeli zyrtarisht sezonin turistik për vitin 2010 në sheshin "Nënë Tereza" në Tiranë, me garën e makinave "Adriatic & Ionian Cassic Rally". Me 354 kilometra plazhe, Shqipëria ka hapur dyert për turistë nga vende të ndryshme të rajonit, Europës dhe botës, ndërsa Agjencia Kombëtare e Turizmit (AKT), promovuese e turizmit brenda dhe jashtë vendit, ka shpeshtuar punën për promovimin e turizmit shqiptar, që nga shumë media të huaja cilësohet si "sekreti i fundit në Evropë". Vjet, numri i turistëve në Shqipëri shënoi një rritje prej 34 për qind krahasuar një vit më parë, ose 456.000 turistë më shumë, duke arritur në një total vjetor prej 3 milionë /n.m/
KOMENTE