English

Dhënia E Konsensusit Për Ndërhyrjet Kirurgjikale Plotëson Kartelën E Pacientit

Sipas drejtorit të QSUT-së, Ilir Dashi, ky është nje urdhër pozitiv që rregullon dhe marrëdhëniet mjek-pacient - TIRANË, 18 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Procedura për marrjen e konsensusit nga pacienti, apo familjarët e autorizuar prejt tij, në rastet kur i nënshtrohet ndërhyrjeve mjekësore, plotëson më mirë kartelën e pacientit. Me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, pacienti i cili do t'i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale, apo personat e tjerë ligjorë të ngarkuar prej tij, do të miratojnë një deklaratë konsensusi për njohjen e komplikacioneve, praktikë kjo që njihet në gjithë vendet e zhvilluara. Kjo praktikë është aplikuar deri më tani në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë vetëm në rastet e rënda. Ndërkohë, me ketë urdhër parashikohet që edhe akuzat për mjekët dhe pacientët të marrin fund. Drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi, tha sot për ATSH-në se "është një urdhër shumë pozitiv dhe i efektshëm për të rregulluar këto marrëdhënie pacient-mjek, për më tepër që krijon një konsensus shumë të mirë, lidhur me ekzaminimet invazive dhe ndërhyrjet kirurgjikale". Sipas tij, "nëpërmjet një deklarate të veçantë, ndryshe nga deri më tani, pacienti, ose familjari, bie dakord për tre gjëra kryesore: procedurën që do të ndodhë, trajtimin alternativ që ka lidhje me këtë dhe rreziqet apo komplikacionet që mund të shoqërojnë procedurën". Deri tani, sipas tij, kjo ka qenë e paplotë, e pamjaftueshme, edhe pse e shënuar në kartelë, ndërsa me këtë deklaratë-konsensus, që merret nga pacienti apo familjari, rregullohen marrëdhëniet ndërmjet mjekut dhe pacientit. "I rëndësishëm është fakti se, mjeku mbrohet në mënyrën më pozitive nga çdo lloj ankese e mëvonshme ose komplikimi, por edhe pacienti është i ndërgjegjshëm dhe shumë më i informuar për çfarë do të trajtohet dhe çfarë do të ndodhë me të", nënvizoi Dashi. Urdhri i ministrit të Shëndetësisë për dhënien e konsensusit nga pacienti për ndërhyrjet kirurgjikale, i bërë publik dje, që prej ditës së sotme ka nisur të shpërndahet në pavionet e QSUT-së, ku kryhen ndërhyrje kirurgjikale, me qëllim njohjen e personelit dhe pacientëve me të. Kjo procedurë do të aplikohet në të gjithë sistemin shëndetësor shqiptar, spitale apo dhe poliklinika, objekt i këtij urdhri. "Një praktikë e tillë sanksionon transparencën dhe ndihmon në rritjen e përgjegjësive në marrëdhënien mjek-pacient-sistem shëndetësor, duke ngritur në këtë mënyrë nivelet e sigurisë dhe korrektesës në strukturat publike shëndetësore shqiptare. Gjithashtu, ajo mundëson përfshirjen e standardeve europiane në dokumentacionin shtetëror, konsideron MSH", vlerëson Ministria e Shëndetësisë. Në sistemin publik shqiptar në tërësi ka munguar ky element shumë i rëndësishëm i komunikimit mjek-pacient, që ka të bëjë me informimin e pacientëve mbi komplikacionet e mundshme, lidhur me procedurat kirurgjikale/invasive apo të tjera mjekësore. /a.ke/
KOMENTE