English

Kongresi Amerikan, “dush të ftohtë” shefit të British Petrolium

Uashington, 18 Qershor, NOA - Kompania britanike naftë-nxjerrëse “British Petrolium” ka kërkuar dje ndjesë publike para popullit amerikan për katastrofën natyrore të derdhjes së naftës në det.

Shefi i kësaj kompanie, Tony Hayard ndërsa ka raportuar dje para Kongresit Amerikan për gjendjen emergjente të krijuar nga çarja e tubacioneve që lejojnë derdhjen e naftës në det, është përballur me kritika të ashpra nga anëtarët e tij.

Ata i kanë bërë me dije atij se “British Petrolium” ka një të kaluar të karakterizuar nga ndërmarrja e hapave të rrezikshëm, shkurtimi i kostos dhe vënia e përfitimeve përpara sigurisë, fakte të cilat mund të kenë kontribuar në shpërthimin e platformës së shpimit të naftës në Gjirin e Meksikës.

Por Tony Hayuard tha se ishte dërrmuar personalisht, kur mësoi rreth vdekjes së 11 personave nga shpërthimi në platformën e kompanisë së shpimit të naftës të marrë me qira nga kompania e tij.

"Jam mëse i vetëdijshëm rreth seriozitetit të situatës. Kjo është një tragjedi. Dua t’i flas direkt popullit, që jeton dhe punon në rajonin e Gjirit të Meksikës. E di fare mirë që ky incident ka pasur një ndikim të madh në jetën tuaj dhe ka shkaktuar probleme shumë të mëdha dhe për këtë më vjen shumë keq. Gjithashtu më vjen shumë keq për ndikimin që ka pasur rrjedhja e naftës tek mjedisi", mësohet të jetë shprehur ai para Kongresit Amerikan.

Por anëtarët e tij kanë qenë mjaft të rreptë ndërsa i kanë përmendur se gjatë 5 vjetëve të fundit, 26 njerëz kanë humbur jetën dhe 700 të tjerë janë plagosur në aksidente të kompanisë “British Petrolium”, përfshirë rrjedhjen e tanishme të naftës në Gjirin e Meksikës, derdhjen e naftës nga një tubacion në Alaska dhe shpërthimi në një rafineri në Teksas.

n.e/NOA

KOMENTE