English

Meta-Kopp: Gjermania nuk do të reduktojë ndihmën për Shqipërinë

Berlin, 18 qershor, NOA - Gjermania nuk do të reduktojë ndihmën financiare për Shqipërinë. Deklarata është bërë nga Sekretarja e Shtetit për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Gjermanisë Gudrun Kopp gjatë takimit të zhvilluar me Zv. Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta.

Duke folur për politikat e reja financiare të Gjermanisë, Kupp u shpreh se “shkurtime do të ketë, por jo në bashkëpunimin me Shqipërinë. Ne kemi bërë sugjerime për kursime që kapin shumën prej 200 milionë euro”, ka thënë ajo.

Meta dhe Kopp kanë diskutuar mbi bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve nxitjen e investitorëve gjermanë në Shqipëri dhe rajon.

Kopp, pasi vuri në dukje bashkëpunimin e ngushtë ekonomik prej dy dekadash midis dy vendeve, bëri një vlerësim të veçantë ndaj politikës së jashtme shqiptare, e cila po kombinohet në mënyrë efikase me politikat zhvillimore dhe tregtare të vendit.

“Dua të theksoj veçanërisht se jam shumë e gëzuar që qeveria shqiptare ndjek synimin për ta lidhur politikën e jashtme me bashkëpunimin ekonomik dhe me ndërtimin e sistemeve sociale dhe politikave sociale dhe kjo është një qasje e tërësishme në politikën zhvillimore, të cilin ne si qeveri e re gjermane e shikojmë në të njëjtën mënyrë dhe ne kujdesemi që mjetet që investojmë ne të sjellin fryte në vendin marrës”, tha ajo

Gjatë prononcimit për mediat, Meta u shpreh se bashkëpunimi mes dy vendeve “do të vazhdojë edhe më tej sikurse është bërë e qartë edhe në protokollin e fundit të nënshkruar midis dy qeverive për bashkëpunimin ekonomik dhe teknik”.

m.xh/NOA.

KOMENTE