English

Policia flet mbi kapjen e “mikut të Zan Çaushit”, bllokoi rrugët në protestat e PS (FOTO)

Tiranë, 18 Qershor 2010 NOA – Drejtoria e Policisë së Tiranës foli sot në mbrëmje zyrtarisht lidhur me arrestimin e Skerdian Bajramit, i cili në protestat e muajit maj ishte shfaqur në bllokimin e rrugëve që organizoi Partia Socialiste.

Skerdian Bajrami, është dënuar me pesë vjet heqje lirie, në procesin gjyqësor ndaj “Bandës së Myrteza Çaushit” i njohur si “Zani i Vlorës”.

Sipas Ministrisë së Brendshme, Bajrami, ishte akuzuar për një sërë krimesh të rënda.

Arrestimi i Bajramit u krye nga forcat e operacioneve speciale të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë dhe policia e Komisariatit nr 5 në kryeqytet.

Mësohet se Bajrami ka qenë një prej personave më aktivë në bllokimin e rrugëve nacionale përgjatë protestave të majit të këtij viti, që organizoi opozita në përpjekje për të hapur kutitë e votimit të zgjedhjeve të vitit që shkoi.

Zyrtarisht, zëdhënësja Alma Katragjini tha se nga shërbimet e Komisariatit Policisë Nr.5 Tiranë në bashkëpunim me Forcat e Operacioneve Speciale në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë u arrestua i kërkuari Skerdian Çuman Bajrami, 33 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Kamëz, Tiranë.

“Ndaj Bajramit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendim të datës 02.02.2009 e ka dënuar me 5 vjet burgim, në procesin gjyqësor ndaj bandës së (Myrteza Caushit) i njohur ndryshme si Zani”, - tha Katragjini dhe shtoi se “i shumëkërkuari Skerdian Bajrami, anëtar i kësaj bande, ka qenë i akuzuar për një sërë krimesh të rënda të kryera nga kjo bandë e armatosur”.

Ndërkohë, përveç ekzekutimit të vendimit të mësipërm, në ngarkim të shtetasit Skerdian Bajrami, do të dërgohen materialet shtesë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë si një nga personat që ka kryer veprime aktive në bllokimin e rrugës në vendin e quajtur “Ura e Farkës” në Tiranë dhe në kundërshtim të Punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët ndërhynë për hapjen e rrugës së datës 11 Maj 2010, - sqaroi policia e Tiranës.

r.n/NOA

KOMENTE