English


Premiera në Teatrin e Metropolit, “Më e vërtetë se e vërteta” një robot për dashurinë

Tiranë, 18 qershor, NOA, Milena Selimi - Regjisorja dhe pedagogia në AAB në Tiranë, Rozi Kostani, është treguar e kujdesshme në përzgjedhjen e komedisë dhe aktorët që do të interpretojnë. “Më e vërtetë se e vërteta” është premiera e fundit e sezonit në Teatrin e Metropolit, që do të shfaqet për publikun në datat 24-27 qershor, ora 21.00 në sallën “Çehov”.

Një komedi e shkruar nga autori francez Martial Courcier, lëvrues i mirënjohur i komedisë jo vetëm në Francë, por edhe në Belgjikë, Itali, Spanjë, etj, na vendos përpara situatave intriguese të një roboti dhe dy qenieve humane-meshkuj që tentojnë të prekin dashurinë.

Me aktorët, Neritan Liçaj, Luli Bitri dhe Lulzim Zeqja, regjisorja tenton të afrojë publikun me një komedi sa interesante, po aq edhe intriguese.

Ku shkojnë kufijtë e dashurisë njerëzore? A njeh kjo ndjenjë limitet e ndjesive, apo bota e sotme e shpejtë dhe dinamike e ka kthyer në shtresëzim të ngurtë të paprekshme dhe të pakuptueshme?

Dilema e përjetshme e dashurisë dhe moskuptimit në çift vjen në një strukturë të mirëorganizuar nga autori, i cili gjen një personazh të ftohtë-robotin Kloe, për të zgjidhur dilemat dhe pikëpyetjet.

Çfarë ndodh me një të vërtetë të ftohtë si roboti, i cili është programuar për të falur dashurinë njerëzore? Në një invers të ndjesive dhe përjetimeve njerëzore, autori Courcier na bën me dije se qerthulli i dashurisë mund të prekë edhe shpirtrat e ngurtë, të ftohtë, të jetës së përditshme.

Ajo që i mungon botës sonë të kompjuterizuar është humbja e komunikimit dhe ndjesisë, humbja e të vërtetës, andaj shpesh gënjeshtra shtrohet këmbëkryq në jetët tona (jo rrallë edhe nga vetvetja) duke na u servirur si e vërtetë.

Komedia ka tre personazhe, Xhulion-Lulzim Zeqja drejtor i një firme të madhe nafte, rreth moshës 35-40 -vjeçare, Françeskon-Neritan Liçaj, shok i Xhulios, menaxher në firmën e tij, i cili bashkëjeton me një vajzë Suzin (e cila nuk paraqitet asnjëherë fizikisht, por vetëm nëpërmjet telefonatava që i bën Françeskos) dhe Kloe-Luli Bitri, një android të cilën Françesko ia bën dhuratë Xhulios për 35- vjetorin e tij. Ngjarjet zhvillohen në shtëpinë e Xhulios në ditën e ditëlindjes së tij.

Në një treshe simpatike ndjesitë e ftohta fillojnë të shkrijnë duke ofruar ngrohtësi, dashuri, jetë të munguar tek Xhuli dhe Françesko.

Surpriza, eksplorime në ndjesi dhe marrëdhënie, situata intriguese që nisin që nga pyetjet si mundet të dashurohet një robot e deri tek grahmat e xhelozisë që kapin personazhet janë boshti kryesor i komedisë, ku sillen ngjarjet enigmatike që kërkojnë me patjetër një përfundim.

A mundet të kthehet në një qënie njerëzore një robot, apo njeriu do të ftohet dhe shuhet si roboti? Autori na tregohet i pakursyer në zgjidhjet e tij të kësaj komedie, madje duket se ngjajnë me ato shtresëzime të ngurta të ndjesive njerëzore…..por kjo mbetet për t’u parë në atë që ofron regjisorja Kostani dhe aktorët Liçaj, Bitri dhe Zeqja.

Askush nuk mundet ta parashikojë dashurinë…madje as edhe një program i kompjuterizuar me titullin “Menu Speciale”.

Martial Courcier ka lindur në Paris në vitin 1968. Është aktor,regjisor dhe dramaturg francez, autor i shumë komedive të suksesshme, jo vetëm në Francë, por pothuajse në të gjithë Evropën, ku janë vënë në skenë komedite e tij si në Paris, Belgjikë, Itali e Spanjë. Këtë komedi Courcier e shkroi në vitin 2001.

Komedia “Më e vërtetë se e vërteta”është vlerësuar me çmimin “Molier”si komedia dramatike më e mirë në vitin 2002 në Paris. Ka shkruar shumë komedi të cilat janë në skenat e teatrove të Francës e më gjerë si “Kriza e mamave”, “Takim me të kundërtën”, “Më e vërtetë se e vërteta”,etj.

Ka vënë në skenë si regjisor shumë pjese teatrale të autorëve të mëdhenj si Molier, Shekspir, etj. Ka interpretuar në shumë shfaqje teatri duke përfshirë këtu edhe pjesët e tij. Pjesëmarrja e tij në film është përkrah figurave të njohura të ekranit francez si Depardie, etj.

Titulli i komedisë: “Më e vërtetë se e vërteta”

Autor: Martial Courcier

Regjia: Rozi Kostani

Skenografia: Laedia Hajdari

Kostumografia: Erida Teta

Interpretojnë: Neritan Liçaj, Luli Bitri, Lulzim Zeqja

m.s/NOA

KOMENTE