English

Topalli: Artin Shqiptar Ta Bëjmë Të Njohur Jashtë Vendit

- Pas vizitës në ekspozitën e koleksionistit Lulzim Perati - TIRANË, 19 Qershor/ATSH/.- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, pas vizitës në ekspozitën me stoli e veshje shqiptare artizanale e koleksionistit Lulzim Perati, vlerësoi nevojën që arti shqiptar të bëhet i njohur edhe jashtë kufijve të vendit. Ekspozita, e çelur dje në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, përfshin aksesorë zbukurimi stoli dhe veshje të përdorura nga gratë, gati 200 vjet më parë, pjesë e fondit të koleksionistit Perati, të grumbulluara në krahinën e Gjirokastrës, Pogradecit, Rrajcës, Zadrimës, Malësisë së Madhe, etj. Duke e cilësuar koleksionin me tradita ilirike si një thesar me vlera të paçmuara, kryeparlamentarja vuri në dukje pasurinë e jashtëzakonshme të kombit tonë që sikurse tha ajo "shpesh herë ndoshta nuk dimë t'i bëjmë marketing". "Këto koleksione të jashtëzakonshme na mahnisin për atë sesi qindra vjet më parë gruaja shqiptare ka pasur këtë stil të jashtëzakonshëm. Por, këtë art ne duhet ta bëjmë të njohur jashtë Shqipërisë, sepse kjo është historia, arti dhe tradita jonë", tha Topalli. Koleksionisti Perati, duke shpjeguar me detaje prejardhjen dhe moshën e secilës prej stolive të ekspozuara, theksoi se ky është rezultat i një pune 23-vjeçare dhe i janë dashur mbi 3 vjet për t'i vendosur në baza etnografike. /a.s.//a.ke/
KOMENTE