Sejdiu: Roli I Malavisë, I Rëndësishëm Për Njohjen E Kosovës
					  OVËS 
     PRISHTINË, 20 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, vlerësoi të dielën  rolin që  Presidenti i Malavit, Z. Bingu Mutharika, ka luajtur në njohjen e Kosovës si shtet i pavarur.
     I kthyer nga vizita e tij  në Malavi, gjatë një konferencë për shtyp, presidenti Sejdiu e cilësoi këtë vizitë, të rëndësishme  për të ardhmen e Kosovës. Ai vlerësoi  rolin e madh të  Presidentit Mutharika, që është edhe kryesues i Unionit Afrikan.
     Sejdiu tha gjithashtu se  ishte një angazhim  i drejtpërdrejtë i tij jo vetëm  te vendet fqinje të Malavit, por edhe te vendet e tjera, për të  njohur  Republikën e Kosovës si shtet.   
     Në vijim të konferencës për shtyp në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, i pyetur në lidhje me mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës që po ofron dhe zërat për krijimin e një mekanizmi uniteti pas këtij vendimi, Presidenti Sejdiu tha se "është me rëndësi që institucionet e Kosovës, janë institucione që kanë dalë nga votat e qytetarëve dhe se kane një mbështetje e fuqishme ndërkombëtare".
    Sipas tij,  me rëndësi është  të shfrytëzohen të gjitha kapacitetet e mundshme dhe ky rol i institucioneve të vendit do të dëshmohet edhe në ecjet e mëtejshme, theksoi Presidenti Sejdiu.
    Lidhur me  deklaratën e  Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar (ICR), Pieter Feith, se "në demokraci zyrtarët që hetohen duhet të japin dorëheqje", Presidenti Sejdiu theksoi se "kjo është çështje e veprimit mbi bazë të Kushtetutës dhe të ligjit të secilit institucion të vendit". /m.sh//a.ke/ 				
				
				
