Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Kosovë - Sejdiu: Integrimi Në Institucionet Euroatlantike, Synim I Përhershëm
English

Kosovë - Sejdiu: Integrimi Në Institucionet Euroatlantike, Synim I Përhershëm

PRISHTINË, 21 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Synim i përhershëm i Kosovës është integrimi në institucionet euroatlantike, tha sot Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, në pritjen për një delegacion të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të kryesuar nga Sverre Myrli, nga Norvegjia dhe me përfaqësues nga Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Portugalia, Italia, Franca, Polonia e Sllovenia. Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se Presidenti Sejdiu, vlerësoi se NATO ka dhënë dhe po jep një kontribut të pazëvendësueshëm, jo vetëm në sferën e sigurisë, por në të gjitha fushat. Ai theksoi se në këta 11 vjet pas luftës, Kosova ka shënuar arritje shumë të mëdha, por njëkohësisht ka para vetes edhe një varg sfidash. Duke shfaqur qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për nevojën e prezencës së trupave të NATO-s në Kosovë, Presidenti Sejdiu theksoi se reduktimi i këtyre trupave duhet të bëhet paralelisht me stabilitetin e vendit dhe me ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Po kështu, duke ritheksuar synimin e përhershëm të Kosovës për integrim në institucionet euroatlantike, Presidenti Sejdiu ka përsëritur edhe me këtë rast kërkesën për pjesëmarrjen, qoftë edhe në formë simbolike, të pjesëtarëve të FSK-së në misione ndërkombëtare. Duke folur para anëtarëve të delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Presidenti Sejdiu ka theksuar marrëdhëniet shumë të mira që Republika e Kosovës ka me vendet fqinje, Maqedoninë, Shqipërisë dhe Malin e Zi, si dhe ka përsëritur se Republika e Kosovës është e interesuar që të ketë marrëdhënie të mira edhe me Republikën e Serbisë, por gjithmonë në raport të dy shteteve të barabarta. Ai ka theksuar se ka një varg çështjesh për të cilat mund të bisedohet me Serbinë, por asnjëherë nuk do të bisedohet për çështjen e statusit të Kosovës, për integritetin e saj territorial, që është një çështje e mbyllur një herë e përgjithmonë. /s.s./
KOMENTE