English

Vizita E Anijeve Të Flotës Detare Turke-Shkembim Eksperience Mes Shteteve Anëtare Te Nato-S

-Flet per ATSH-ne zv/Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, Kristaq Gerveni- TIRANË, 21 Qershor/ATSH-Andi Myrte/.- Përfaqësues të Lartë të Flotës Detare të Turqisë nisin nesër një vizitë zyrtare në Shqipëri. Sikurse është parashikuar, një grup i përbërë nga 5 anije luftarake të Turqisë, së bashku me ekuipazhin e tyre, do të mbërrijnë të martën në ujrat detare Shqiptare dhe do të qëndrojnë për tre ditë në dy portet më të mëdha të vendit, në Durrës dhe Vlorë. "Vizita e grup anijeve të Flotës Detare të Turqisë në Shqipëri, synon jo vetëm familjarizimin, por dhe shkëmbimin e përvojës midis forcave detare shqiptare dhe atyre turke", thotë në një intervistë ekskluzive për ATSH-në, zëvendëshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Kristaq Gërveni. Sipas tij, 2 nga këto anije do të mbërrijnë në Portin e Vlorës, ndërsa 3 të tjerat do të ankorohen ne Portin e Durrësit. Gjatë kohës së qëndrimit të tyre në këtë porte, tregon Gërveni, -do të ketë një sërë aktivitetesh familjarizuese, ku oficerët tanë do të zhvillojnë vizita në anijet turke. Parashikohen edhe shumë aktivitete kulturore, sportive etj, si minikampionat futbolli, koncert me bandën frymore për forcat e dy vendeve, etj. Gjithashtu, do të ketë edhe takime të nivelit të lartë midis zyrtarëve shqiptarë dhe atyre turq. Për zv/shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, këto vizita, që nuk janë as të parat e as të fundit, janë një mundësi e mirë për t'i ofruar forcave të armatosura shqiptare shkëmbimin e eksperiencave, por edhe përfitimit të tyre nga ato të forcave ushtarake të partnerëve ndërkombëtarë. "Eshtë një praktikë që ndiqet me të gjitha vendet anëtare të NATO-s, shton më tej Gërveni. Duke vlerësuar përvojën e Turqisë në fushën ushtarake, zv/shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, Kristaq Gerveni, thekson se vizita e grupit të anijeve turke është ne kuadër të afrimit më shumë me ta, ashtu si dhe me të gjithë vendet e tjera anëtare të aleancës së Atlantikut të Veriut. Gerveni ndalet edhe te marrëdhëniet e bashkëpunimit me Turqinë, duke i cilësuar ato shumë të mira. "Kemi bashkepunim shume të mirë me Turqinë dhe politika jonë është që ta forcojme me tej këtë bashkëpunim, sikurse me të gjitha vendet e tjera të NATO-s", thekson zyrtari i lartë i Ushtrisë shqiptare. Gërveni shprehu mirënjohjen për kontributin e madh dhe ndihmën e gjithanëshme të Turqisë ndaj Shqipërisë në këtë fushë, duke vënë në dukje se "janë qindra oficerë shqiptare të diplomuar në akademite turke, të kualifikuar ne kurset turke, ndërkohë që janë dhuruar ndihma të mëdha si në logjistikë, teknike për forcat tona të armatosura". Por, vizita të kësaj natyre janë bërë edhe më parë në Shqipëri. Para disa kohësh ne Portin e Durrësit erdhën 5 fregata të NATO-s, ndërkohë që në ujrat detare të Vlorës u zhvillua një stërvitje e përbashkët e 10 anije te shteteve të ndryshme mike. Megjithatë, ketë herë nuk do të ketë stërvitje, por vetem një port vizitë, shpjegon Gerveni. Zv/Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Kristaq Gerveni, shprehu rëndësinë që ka pasur dhe ka bashkepunimi i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, me ndikim pozitiv në rritjen e standardeve të forcave tona të armatosura. "Nga forcat detare shqiptare kemi dërguar oficerë në anijet e vendeve partnere, si ato amerikane, italiane etj., për t'i dhënë mundësi trajnimi atyre, duke shërbyer në këto anije, duke parë menyrën e organizimit dhe si stërviten aleatët tanë", thotë Gerveni. "Objekti parësor që kemi është që ushtria shqiptare të ndihet e barabartë mes të barabartëve", thotë më tej Gerveni. Nga ana e saj, Ambasada Turke në Tiranë, përmes një deklarate për shtyp, bëri të ditur se Grupi i anijeve të Forcave Detare Turke, përbëhet nga pesë anije moderne luftarake. "Këto anije, të cilat do të vizitojnë portet e Shqipërisë, vend mik dhe vëlla, do të kontribuojnë në bashkëpunimin e sinqertë ndërmjet Forcave të Armatosura të të dy vendeve," thuhet në deklaratën zyrtare të Ambasadës Turke. Ndërkohë, nga autoritetet shqiptare është miratuar edhe baza ligjore për këtë vizitë. Pak ditë më parë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, shpalli dekretin "Për dhënien e lejes së hyrjes dhe të qëndrimit të përkohshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë të forces detare Turke", mbas miratimit edhe ne Parlamentin Shqiptar. Në bazë të dekretit të Presidentit mundësohet qëndrimi në ujërat territoriale shqiptare i 5 luftanijeve turke dhe ekuipazhit të tyre. /a.m//s.s./
KOMENTE