English

Feith: Kosova, Hapa Të Vendosur Drejt Evropës

PRISHTINË, 22 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- "Kosova vazhdon të ndërmarrë hapa të vendosur drejt Evropës", tha sot Përfaqësuesi Special i BE-së (EUSR), Pieter Feith, në një fjalim para Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian. Që në fillim të fjalës së tij, z.Feith theksoi se "Kosova po qëndron në rrugë të mbarë, përkundër disa çrregullimeve të vogla të muajve të fundit". Megjithatë, sipas tij, "është shumë me rëndësi që të mos lëkundemi nga kursi i Kosovës drejt Evropës". Zyra e shtypit e Përfaqësuesit Special të BE-së, bëri të ditur se në fjalën e tij z. Fieth tha se "Kosova është duke lëvizur përpara dhe në ketë lëvizje të saj ne po ndërlidhemi gjithnjë e më shumë me të ardhmen evropiane të Kosovës". Ai përkujtoi se Kosova mbajti zgjedhjet lokale, të parat që nga deklarimi i pavarësisë, ndërsa zgjedhjet e përgjithshme pritet të mbahen vitin e ardhshëm, duke vlerësuar se "kjo vërtet është punë e rëndësishme", në të cilën zyra e tij "do të vazhdojë të kontribuojë". Ndërkohë, z. Feith vlerësoi mbajtjen e zgjedhjeve në komunën me shumicë serbe të Parteshit, duke theksuar se "zgjedhjet e suksesshme në Partesh demonstrojnë qartë se kohërat kanë ndryshuar". "Po jetojmë në një epokë të re të bashkëpunimit në vend të bojkotit dhe një numër gjithnjë e më i madh i serbëve të Kosovës janë të gatshëm të përqafojnë të drejtat e tyre për të vendosur vet për çështjet që u përkasin atyre", tha Feith. Feith shtoi se "përmirësimi i dukshëm i kushteve jetësore në komunat e reja mund të jetë inkurajim për bashkëpunim me komunitetin serb të Kosovës që jeton në Kosovën veriore. Në periudhën e ardhshme unë besoj se do të jetë shumë me rëndësi që të shtohen kontaktet dhe lidhjet me ketë komunitet". Në ketë kontekst, shtoi ai, BE-ja po bëhet faktor gjithnjë e më i rëndësishëm. Ai vlerësoi se "derisa perspektiva evropiane e Kosovës ecën përpara, marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian sa vijnë e bëhen më të forta". "BE-ja në mënyrë të vazhdueshme është duke shndërruar bashkëpunimin rreth reformave me Kosovën në një partneritet gjithnjë e më të fuqishëm", shtoi Feith. Duke folur për vendimin e pritshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Feith tha se publikimi i tij "nënkupton mundësi për të shtuar kontaktet në mes të Kosovës dhe Serbisë". "Unë besoj se Beogradi dhe Prishtina duhet të shfrytëzojnë ketë mundësi për t'u marrë me çështje praktike, zgjidhja e të cilave është në interesin e tyre të përbashkët", theksoi Feith. "Kosova është pashmangshmërisht sfidë evropiane, por është edhe rasti i vetëm dhe më i qartë i suksesit të mundshëm evropian. Në mënyrë të përsëritur është bërë e qartë se BE-ja e konsideron Kosovën dhe rajonin si çështje të saj", theksoi Feith./s.s./
KOMENTE