English

Liberalizimi I Vizave/ Ekspertë Të Ke-Së, Monitorim Plotësimit Te Kushteve Shtesë Nga Shqipëria

- Shënim - TIRANË, 22 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Ekspertë të Komisionit Europian do vizitojnë Shqipërinë në muajin korrik për të parë nga afër plotësimin e tre kritereve shtesë për liberalizimin e vizave për shqiptarët. Misioni monitorues do t'i japë Këshillit të Ministrave të BE-së dhe Parlamentit Europian një vlerësim të qartë dhe në detaje për përparimin e arritur në zbatim të Strategjisë për ri-integrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer nga vendet e BE-së, zbatimin efikas të kuadrit ligjor për konfiskimin e aseteve të vëna nga krimi i organizuar dhe për forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe financiare për të zbatuar kuadrin ligjor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Plotësimi i këtyre tre kërkesave shtesë është shumë i rëndësishëm për marrjen e një vendimi pozitiv për lëvizjen në hapësirën "Shengen". Ndaj dhe autoritetet më të larta shqiptare kanë siguruar për plotësimin në kohë të këtyre kritereve. - Strategjia për ri-integrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer nga vendet e BE: Qeveria shqiptare miratoi në 9 qershor 2010 Strategjinë për riintegrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer (2010-2015) dhe planin e veprimit të saj, që përbën një nga kushtet e vendosura nga Komisioni Europian për liberalizimin e vizave. Në fokusin e strategjisë janë shtetasit shqiptarë të kthyer në kuadër të marrëveshjes së ripranimit KE- Shqipëri dhe marrëveshjeve dypalëshe që zbaton vendi ynë, ku shtetasit shqiptarë që i nënshtrohen formave të tjera të kthimit të detyruar ose vullnetar. Strategjia e miratuar synon minimizimin e kostove të migracionit, rritjen e përfitimit dhe nxitjen e kontributit të shtetasve shqiptarë të kthyer për zhvillimin ekonomik të vendit, bën një analizë të situatës aktuale, bazës ligjore dhe institucionale dhe paraqet objektivat dhe masat për të ardhmen, të fokusuara në riintegrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer, në një perspektivë 5 vjeçare. Kjo strategji dhe plani i saj i veprimit kanë si objektiv kryesor, përmirësimin e kuadrit ligjor për mbështetjen e riintegrimit, si dhe sigurimin e strukturave efektive me burimet e nevojshme njerëzore dhe financiare për institucionet publike, për të garantuar mbështetjen e riintegrimit të të kthyerve. Ministri i Brendshëm Lulzim Basha siguroi sot se "kjo është një Strategji e plotë që përfshinë edhe kostot financiare". - Zbatimi i kuadrit ligjor për konfiskimin e aseteve të vëna nga krimi i organizuar: Ligji i ri "Antimafia" ka filluar të japë efektet e para pozitive në luftën kundër krimit të organizuar dhe sidomos pasurive që rrjedhin prej tij. Ligji për "Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë", i quajtur si ligji i ri "Antimafia", ka hyrë në fuqi që në Janar 2010 pas miratimit nga Parlamenti Shqiptar dhe po zbatohet gjerësisht nga institucionet e rendit dhe drejtësisë. Që nga janari e deri më sot, Prokuroria e Shtetit, veçanërisht ajo e Krimeve të Rënda ka nisur hetime të reja për më tepër se 10 raste, që kanë të bëjnë me pasuritë e luajtshme ose jo, apo asete që mendohet se janë përfituar në mënyrë të paligjshme nga individë të ndryshëm. Ndërsa në Gjykatë janë referuar kërkesa për sekuestrimin e pasurive të dyshuara me prejardhje kriminale për dy raste, përfshi këtu pasuri që i përkasin anëtarëve të ish- bandave kriminale. Në këtë kuadër, janë sekuestruar pasuri të shumta, me vlerë të konsiderueshme si, troje, apartamente banimi, makina etj, të cilat mendohet se rrjedhin nga krimi. Por, nën hetim janë edhe shumë çështje të tjera për pasuri të dyshimta, që kanë qenë te regjistruara në Prokurorinë e Krimeve të Rënda që në 2007-ën. Një tjetër ligj që pritet të miratohet së shpejti nga Kuvendi i Shqipërisë, është edhe ligji "Për policinë gjyqësore". Kryeministri Berisha vlerësoi dje rëndësinë e këtij ligji, në zbatimin e konfiskimit të pasurisë së krimit të organizuar. Kreu i Qeverisë informoi se po hartohet dhe finalizohet e gjithë baza ligjore e Agjencisë së trajtimit të pronave të konfiskuara të krimit të organizuar. - Forcimi i kapaciteteve njerëzore dhe financiare për të zbatuar me efikasitet kuadrin ligjor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit: Zbatimi i strategjisë kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit, përmes aplikimit të legjislacionit përkatës ka qenë një prioritet i qeverisë. Në 12 qarqet e vendit është instaluar dhe funksionon sistemi MEMEX i analizës së informacionit kriminal dhe janë trajnuar afro 300 oficerë policie për ta operuar atë. Në mbledhjen e fundit të Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e Vizave, Kryeministri Berisha kërkoi lëvrimin e gjithë fondit të parashikuar për Ministrinë e Brendshme, në mënyrë që sistemet MEMEX dhe FRONTEX të marrin të gjitha kapacitet e nevojshme të funksionimit të tyre. Kryeministri theksoi se është zgjidhur edhe çështja e personelit në sektorë të caktuar, të policisë kufitare dhe asaj të trafiqeve. Lufta kundër korrupsionit është përqendruar si në parandalimin e tij nëpërmjet masave rregullatore, si shërbimet one-stop-shop, shërbimet on-line etj, ashtu edhe në bashkëpunimin ndërmjet agjencive për identifikimin, kapjen dhe dënimin e të gjitha akteve korruptive./n.m/
KOMENTE