English

Topi: Mesazhi I Takimit Te Stambollit Ne Sherbim Te Rritjes Se Dialogut Kulturor Mes Popujve

- Presidenti Topi përshëndet Takimin e 8-të të Forumit të Korridoreve Kulturore me temë: "Muzika, si metaforë e dialogut kulturor" - TIRANE, 23 Qershor/ATSH/. - Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, mori pjesë sot pasdite në Takimin e 8-të të Forumit të Korridoreve Kulturore të Samitit të Kryetarëve të Shteteve të Evropës Juglindore me temë: "Muzika, si metaforë e dialogut kulturor", i cili u zhvillua në kryeqytetin e Turqisë, në Stamboll. Sipas Zyres se Shtypit te Presidences, gjatë fjalës përshëndetëse në prani të krerëve të shteteve pjesëmarrëse në këtë samit, Presidenti Topi, duke vënë në dukje se organizimi i këtij takimi bëhet pikërisht në qytetin simbol të pranisë së civilizimeve të hershme, në Stamboll, shprehu bindjen se mesazhi i këtij takimi "do të kthehet në lajtmotiv të vendeve dhe popujve tanë për të rritur dialogun kulturor mes tyre jo vetëm në formë, por edhe kohë". Duke e konsideruar trashëgiminë kulturore të popujve tanë si një ndër korridoret historike të komunikimit dhe duke nënvizuar faktin që muzika "si kulturë e paqes" i ka mbijetuar të gjitha kohërave, Presidenti Topi theksoi se janë pikërisht këngët popullore që janë shndërruar dalëngadalë në simbole kulturore të çmuara për identitetin e popujve dhe vendeve tona. "Përmes larmisë së kësaj tradite muzikore, popujt tanë kanë ushqyer dhe ushqejnë diversitetin kulturor si thelb i jetës dhe i humanizmit, kanë ngritur korridoret e komunikimit dhe marrëdhënieve miqësore mes komuniteteve të ndryshme si dhe kanë dialoguar kulturalisht, me popujt e tjerë fqinjë, por edhe më gjerë", u shpreh Presidenti Topi. Më tej, duke vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të UNESCO-s në ruajtjen e vlerave të vyera të kryeveprave të trashëgimisë gojore e shpirtërore të popujve tanë, Kryetari i shtetit shqiptar u shpreh se "Janë këto kryevepra muzikore artistike popullore si "Isopolifonia popullore shqiptare" dhe të tjera të popujve dhe kombeve tona, të cilat janë shndëruar realisht në stacione të korridorit tonë kulturor ndër-rajonal të komunikimit, tashmë përmes muzikës sonë si trashëgimi shpirtërore e përbashkët. Këto kryevepra muzikore, qëndrojnë aty fare thjesht, pa emra konkretë autorësh të përveçëm që i kanë krijuar, por ato janë aty si dëshmi artistike që vijnë me emrat e vendeve tona, dhe si të tilla janë në gjendje të provojnë se humanizmi ynë artistik është i aftë të krijojë kryevepra të vlefshme për të gjithë njerëzimin. Ky mozaik i jashtëzakonshëm i vlerave kulturore nuk cënohet dhe as deformohet, përkundrazi pasurohet dhe zbukurohet, kur i çliron popujt tanë nga paragjykimet dhe ambicjet politike e aq më tëpër nga qëllimet për të penguar proceset universale të zhvillimit dhe të integrimit drejt lirisë së shpirtit dhe të vlerave". Në mbyllje të fjalës së tij, Presidenti Topi dha mesazhin për nevojën e një njohjeje më të mirë të korridorit shpirtëror të komunikimit, i cili nuk është gjë tjetër përveçse trashëgimi shpirtërore e përbashkët, në funksion të paqes, demokracisë, bashkëpunimit dhe tolerancës. /a.ke/
KOMENTE