English

Dokle:Pa transparencë, nuk bëhet reformë zgjedhore

Tiranë, 24 qershor, NOA – Duke evidentuar rishtas transparencën, Deputeti i Partisë Socialiste deklaroi në fjalën e tij në kuvend se Rezoluta e Parlamentit Evropian, pasi vuri në dukje një numër parregullsish sa i përket transparencës, presioneve dhe kërcënimit të votuesve, regjistrimin e mangët të tyre, numërimin e pa saktë në dhjetëra zona zgjedhore etj, thekson nevojën urgjente për hetim të shpejtë të autorëve të parregullsive.

“Kudo kanë gjetur mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, kërkesat tona të drejta që burojnë nga parimi i lirisë, i lirisë për fjalën dhe për votën; i lirisë për zgjidhje dhe për transparencë, i lirisë për të protestuar kur ajo nuk respektohet. Prandaj do t’ju lutesha t’i lini fjalët, lojërat me to dhe të merrni përgjegjësinë e qeverisë dhe të maxhorancës”, deklaroi deputeti socialist.

“Kush më tepër se qeveria dhe kryeministri i saj, kush më tepër se 4 anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që shkelën mbi kodin e votuar nga Kuvendi, janë autorët e korrupsionit elektoral", nënvizoi deputeti Dokle.

Sipas tij është pikërisht shurdhëria dhe kokëfortësia e qeverisë që kërkon t’i imponohet vullnetit të popullit, arsyeja që ngërçit politik në vend nuk po i jepet zgjidhje.

“Të ulemi bashkërisht, thërret kryeministri, ndërkohë që përpiqet me çdo mjet, megjithë klanin e tij, t’i imponojë zëvendësimin e transparencës me mashtrimin, të dialogut me diktatin, të shtetit të së drejtës me pushtetin e korrupsionit, duke vështirësuar integrimin dhe duke i shtyrë vizat, sa nga vjeshta në pranverë dhe sërish nga pranvera në vjeshtë, duke e detyruar edhe njëherë Parlamentin Europian të bëjë thirrje për përgjegjësi dhe përgjegjshmëri, për zgjidhjen e kizës mbi bazën e parimit kushtetues të transparencës, për plotësimin e kritereve ende të paplotësuara”, vazhdoi Dokle.

Socialistët tha Dokle, kanë shprehur gatishmërinë për zgjidhjen e krizës përmes arritjes së një marrëveshjeje të negociuar dhe kompromisi mbi parimin më të rëndësishëm për demokracinë funksionale, zgjedhje të lira dhe transparencë të plotë mbi to.

“Reformë zgjedhore pa transparencë mbi zgjedhjet nuk mund të bëhet. Gjatë gjithë kësaj kohe që ne jemi në parlament, pasi u vlerësua nga partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, po i japim kuvendit shansin e një normaliteti dhe të gjakftohtësisë për të arsyetuar dhe për të vendosur zgjidhjen e ofruar”, tha deputeti Dokle në seancën e sotme.

Dokle rishtas i bëri thirrje qeverisë të hapë kutitë, të lirojë vizat e shpëtojë ekonominë.

mit/NOA
KOMENTE