English

Qsut-Masterplani, Studim Mbi Furnizimin Me Energji Dhe Menaxhimin E Ambientit

TIRANË, 24 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Dy studime lidhur me menaxhimin e territorit dhe me furnizimin me energji elektrike të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë janë ndërmarrë nga drejtoria e kësaj qendre, në bashkëpunim me kompaninë gjermane COWI-IPF, në funksion të masterplanit 10 vjeçar të zhvillimit të kësaj qëndre. Një ditë më parë, drejtoria e QSUT-së u njoh me Master Planin e rifreskuar të zhvillimit të saj, e hartuar si një propozim i Top Consult, ndërsa në një takim të sotëm u bë vlerësimi i situatës ekzistues, që nga rishikimi i dokumentacionit, praktikat operative, gjendja infrastrukturore e deri te komponentët e përputhshmërive legjislative. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të QSUT, Ilir Dashi, "planifikimi i Menaxhimit dhe Investimeve Ambientale, përmban jo vetëm metodologjinë për vlerësimin e kornizës ligjore dhe adaptimet e nevojshme drejt përputhshmërisë me Bashkimin Europian, por edhe një analizë komplete të kostove për të gjithë nevojat në këtë drejtim". Nga ana jetër, masterplani parashikon dyfishimin e furnizimit me energji elektrike të QSUT. Qendra më e madhe spitalore në vend ka nevojë për 6 mijë kilovat orë nga 3500 kilovat/orë sa merr sot. Sipas studimit, kjo do të arrihet nëse zbatohet projekti dhjetëvjeçar, i cili do të rehabilitojë rrënjësisht infrastrukturën energjetike në QSUT. "Studimi parashikon zbatimin e projektit me vlerë 2 milionë euro, i cili do të konsistojë në ndërtimin e 13 nënstacioneve elektrike me linjë 20 kw nga 6 kw që është aktualisht. Është menduar që pas dhjetë viteve të menaxhohet furnizimi me energji elektrike duke siguruar për çdo spital, një mbarëvajtje të shërbimit shëndetësor", u shpreh eksperti për energjinë, Gjergj Simaku. Specialistët gjermanë rekomanduan që brenda dy vitesh edhe spitalet e vjetra në QSUT të kenë sistem qendror ngrohje e ftohje, njësoj si spitalet e reja që do të ndërtohen brenda territorit të QSUT. Studimi i ekspertëve gjermanë ka parashikuar plotësimin e nevojave me energji për QSUT-në edhe përmes burimeve të tjera siç është energjia diellore. Studimi i mjedisit ka treguar se kërkohet ndërhyrje në hartimin e një plani për trajtimin e mbetjeve spitalore, por edhe trajnimin e stafit (sanitarëve) për seleksionimin e tyre. Menaxhimi i trafikut në spital dhe krijimi i një korsie të veçantë për lëvizjen e autoambulancave të emergjencës është një tjetër element ku do të ndërhyhet. Për këtë, drejtoria e QSUT-së sapo ka përfunduar hartimin e planit rregullues, i cili pritet të nisë në muajin gusht. /s.s./
KOMENTE