English

Shqipëria, Arritje Në Luftën Kundër Krimit Të Organizuar

- Nis në Tiranë projekti "ILEKU" për përmirësimin policor në luftën kundër krimit të organizuar, i financuar nga Komisioni Europian - TIRANË, 24 Qershor /ATSH - Mira Shkurta / - Përmirësimi i bashkëpunimit policor në luftën kundër krimit të organizuar, ishte qëllimi i ngritjes në Tiranë të Drejtorisë së Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar, "ILEKU", i pari në kuadrin e një projekti të financuar nga Komisioni Europian, për zhvillimin organizativ në institucionet e policisë dhe drejtësisë në Europën Juglindore. Në një ceremoni të organizuar paraditen e së enjtes në Hotel Tirana "International", me pjesmarrjen edhe të ministres së Brendshme të Austrisë, Znj.Maria Fekter, e cila ndodhet për një vizitë dyditore në Tiranë, si dhe përfaqësuesve të diplomacive të huaja në Tiranë, drejtuesve të lartë të Policisë Shqiptare dhe atyre ndërkombëtare, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, informoi per ngritjen e zyrës së Drejtorisë së Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar "ILEKU", në kuadrin e reformave në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën e përbashkët kundër krimit. "Sot, në zbatim të rekomandimeve të projektit, posedojmë një zyrë të kompletuar, me personel të aftë për përballuar sfida gjithmonë në rritje të punës, në kuadrin e bashkëpunimit ndërkombëtar", u shpreh ministri Basha. "Shqipëria sot bëhet vendi i parë përfitues i këtij projekti, duke demonstruar prerë dhe qartë vullnetin, vendosmërinë dhe kapacitetet e qeverisë dhe të shtetit për të qenë në krye të proceseve reformuese në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terririzmit", tha ministri i Brendshëm. Të rëndësishëm në këtë projekt, Basha vlerësoi kontributin e dhënë nga Komisioni Europian, ministrine e Brendshme Federale te Austrisë për drejtimin e këtij projekti dhe në veçanti Zyrën e Projekteve të Policisë Austriake për punën dhe mbështetjen që i kanë ofruar ekipit shqiptar për realizimin e këtij projekti. Qëllimi i këtij projekti është përmirësimi i bashkëpunimit ndërkombëtar policor në luftën kundër krimit të organizuar. Përmes krijimit të zyrës në Shqipëri për koordinimin e ndjekjeve penale, do të forcohet bashkëpunimi policor strategjik dhe operativ në Shqipëri dhe në vendet e synuara të projektit. Ndër të tjera, kjo do të realizohet nëpërmjet lidhjes së përmirësuar organizative të zyrave ekzistuese të zbatimit të ligjit që janë krijuar, apo priten të krijohen, duke përmirësuar kështu edhe komunikimin ndërmjet prokurorisë, policisë dhe instancave të tjera të rëndësishme. Projekti "ILEKU" u inicua nga EUROPOL dhe INTERPOL, ndërkohë që në këtë projekt kontribuojnë aktivisht edhe Agjencia Europiane për Bashkëpunimin me kufijtë e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, FRONTEX, Zyra Federale e Krimeve të Gjermanisë, Zyra Europiane për Luftën kundër Mashtrimit dhe SECI (Autoritetet Policore dhe Doganave nga 13 vendet e Europës Juglindore), ndërkohë që Shqipëria është i pari vend që zbaton projektin "ILEKU", duke treguar vullnetin për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. /a.ke/
KOMENTE