English

Berisha, Al Nahyan: Emiratet e Bashkuara Arabe do të financojnë në rrugën Tiranë-Elbasan

Tiranë, 25 qershor, NOA – Projektet e rëndësishme të infrasturkturës shqiptare do të mbështeten me financime nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilët do të finacojnë autostradën Tiranë-Elbasan si dhe pritet bashkëpunim edhe në projekte të tjera ndër të cilët Boshti i Jugut, portet, resortet turistike si dhe në transportin ajror.

Këtë mbështetje e ka dhënë në një takimnë Tiranë, me kryeministrin Sali Berisha, ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.

Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e qeverisë shqiptare për mbështetjen e përhershme dhe të gjithanshme të Emirateve të Bashkuara Arabe në zhvillimin dhe modernizimin e Shqipërisë, gjë që sipas kryeministrit dëshmojnë për marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy vendeve dhe mbështetjen e fuqishme në thellimin e marrëdhënieve ekonomike.

Sikundër njofton zyra e shtypit e qeverisë takimi u përqendrua në marrëdhëniet ekonomike dhe tregëtare mes dy vendeve, të cilat kanë potenciale të mëdha të thellimit të tyre.

Kryeministri Berisha i prezantoi kryediplomatit emiratas, potencialet e mëdha të Shqipërisë në fushën e energjisë, turizmit, porteve dhe infrastrukturës.

Sipas ministrit të Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan trendi i rritjes ekonomike të Shqipërisë në vitet e fundit, veçanërisht në këtë kohë të krizës botërore, falë reformave të thella ekonomike dhe klimës së favorshme për biznesin, ka bërë që të ketë mjaft interes nga ana e investitorëve të Emirateve të Bashkuara Arabe për të investuar në Shqipëri.

Emiratet e Bashkuara Arabe, tha Ministri Al Nahyan, do të financojnë rrugën Tiranë-Elbasan, një ndër projektet më prioritarë infrastrukturorë të qeverisë shqiptare si dhe po shikojnë me mjaft interes dhe përparësi edhe projekte të tjera të mëdha si Boshti i Jugut, portet, resortet turistike dhe projektet për bashkëpunimin në transportin ajror.

Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan theksoi se hapja në Abu Dhabi e Ambasadës shqiptare dhe hapja në një kohë të afërt e ambasadës së Emirateve të Bashkuara Arabe në Shqipëri, do të jenë një ndihmë e madhe për forcimin e bashkëpunimit të suksesshëm mes dy vendeve.

Në takim u diskutua dhe për Kosovën, për të cilën kreu i qeverisë Berisha, shprehu mirënjohjen për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe për mbështetjen e madhe në rindërtimin dhe zhvillimin e saj, duke theksuar se Kosova po dëshmon se është faktor i rëndësishëm paqe dhe stabiliteti në rajon.

mit/NOA
KOMENTE