Lajme > Lajme Ditore > Prill - Qershor 2010 > Lajmet e datës 25 Qershor 2010
 

Fier: Mbetjet E Hidrokarbureve Dëmtojnë Strukturën E Tokës Bujqësore

FIER, 24 qeshor /ATSH-Rr. Isufaj/ - Mbetjet e hidrokarbureve vazhdojnë të ndotin mjedisin e zonave naftëmbajtëse në qarkun e Fierit, si dhe dëmtojnë turizmin e bregdetit të Semanit, mendojnë përfaqësuesit e pushtetit vendor, ndërsa ata të industrisë së naftës, pohojnë thuajse krejt të kundërtën.

Sipas vendorëve, mbetjet e kombinatit të përpunimit të thellë të naftës (KPTHN), në Ballsh, së bashku me mbetjet nga repartet e dekandimit të naftës në fshatin Kash e Visokë bashkohen në lumin Gjanicë dhe nëpërmjet tij ndotin detin.

"Gjendja është alarmante për sa i përket ndotjes së mjedisit nga industria e naftës," tha Agron Kapllani, kryetari i komunës Qendër, Mallakstër.

"Ne nuk e ndjejmë, ngaqë jemi bërë pjesë e kësaj ndotje dhe kemi fituar imunitet," shton Kapllani, ndërsa nënvizon se "kush vjen nga jashtë e ndjen më tepër dhe nuk i pritet të largohet sa më shpejt nga kjo zonë.

Sipas tij, në fshatin Kash situata mjedisore është e rënduar.

"Ka një ujëmbledhës në komunë, që dikur u ndërtua për vaditjen e tokave bujqësore. Tani ky ujëmbledhës është kthyer në mbledhës i naftës bruto, dhe nuk vadit tokat, por çliron gaz helmues në atmosferë dhe shkatërron tokat e fermerëve," tha Kapllani. Pasojat e ndotjes, mendon Kapllani, më shumë se kushdo po i paguan fermeri i zonave naftëmbajtëse, të cilit i është shkatërruar struktura e tokës.

"Shpërthejnë puset, dëmtojnë tokat e fermerëve dhe kompanitë e naftës mjaftohen me gjoja të kemi prishur të mbjellat. (Por) nafta bruto mbulon njëherë tokën dhe ajo tokë nuk bëhet më. Ka prishur krejt strukturën e saj, duke e shndërruar në tokë sterile," tha Kapllani.

Kapllani i ka kërkuar prefektit ndërhyrje institucionale të menjëhershme pasi fermerët dhe qytetarët janë të indinjuar nga fenomeni i ndotjes.

Lidhur me këtë problem, prefekti Bujar Hasaj tha se "është bërë gati një plan strategjik për rehabilitimin e Gjanicës dhe normalizimin e ambientit për sa i përket ndotjes mjedisore".

Pak kohë më parë Drejtori i Departamentit të Mjedisit në Albpetrol, Ylli Fejzullaj, tha për ATSH-në se kompania Albpetrol sh.a, ka hartuar një program të posaçëm, për uljen e shkallës së ndotjes dhe mbrojtjen e mjedisit".

"Çështjet mjedisore janë fokusuar në prioritetet kryesore të kompanisë, madje për këtë qëllim janë vënë në dispozicion të rehabilitimit mjedisor 41 milion lekë," tha Fejzullaj.

"Kompania ka krijuar një sektor special, funksioni bazë i të cilit është mbrojtja e mjedisit. Ka përfunduar struktura organike. Janë vënë në dispozicion fondet dhe baza materiale, si dhe është përcaktuar veprimtaria konkrete e këtij sektori," tha Fejzullaj.

"Dy stacionet e dekandimit, ai i Kashit dhe i Usojës, absolutisht nuk bëjnë më asnjë lloj shkarkimi në lumin Gjanicë. Ujrat e ndotur nëpërmjet një sistemi shkarkohen në puse speciale (në shtresat e nëntokës)," tha Fejzullaj./ch/

Shkruani KomentinKOMENTE
  • Nuk ka komente të paraqitur në këtë lajm. Jini i pari që shkruani këtë.