English

Meta: Emiratet e Bashkuara Arabe, mike të çmuara të Shqipërisë dhe Kosovës

Tiranë, 25 Qershor, NOA – “Bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara Arabe do të mbetet i shkëlqyer për të gjithë shqiptarët, kosovarët dhe kudo ata që ndodhen, po të sjellim ndër mend krizën e kosovarëve në 1999, ku ky vend ka dhënë ndihmesën e tij të çmuar”.

Kështu tha ministri i Jashtëm Ilir Meta, gjatë një konference të përbashkët shtypi me ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, i cili ka mbërritur në vendin tonë në kuadrin e një vizite zyrtare.

“Kanë qenë me dhjetëra mijëra kosovarë që kanë njohur ndihmën dhe kontributin e Emirateve të Bashkuara Arabe në atë periudhë. Edhe emri i aeroportit të Kukësit, në shenjë mirënjohje ndaj kësaj ndihme do të mbajë emrin e Sheikh Zayed, pasi ky aerodrom që u përdor atëherë për të sjellë ndihmat në Kukës, do të shndërrohet në një aeroport të standardeve evropiane”, vuri në dukje Meta.

Sipas tij, ky do të jetë një monument i jashtëzakonshëm për ndihmën e dhënë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, si një shans për rritjen e marrëdhënieve mes Kosovës dhe këtij vendi arab.

“Ndërkaq, Shqipëria ka marrë vendimin për hapjen e përfaqësisë së saj diplomatike në këtë vend dhe një sërë marrëveshjesh bilaterale që përshpejtojnë bashkëpunimin mes dy vendeve tona. Por do bashkëpunojmë ngushtë edhe në fushën e arsimit”, vuri në dukje ai.

Bëhet me dijeni se gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Al Nahyan do të takohet edhe me kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe presidentin e Republikës Bamir Topi.

E ndërsa i është vënë emri “Sheikh Zayed”, aeroporti i Kukësit do të inaugurohet nesër përmes një ceremonie të posaçme, në të cilën do të jetë i pranishëm vetë ai.

n.e/NOA

KOMENTE