English

Rama: Përveç faktit të liberalizimit të vizave, projektrezoluta e PE është një bllok detyrash

Tiranë, 25 qershor, NOA – Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi sot nga selia rozë se rezoluta e PE-së për Shqipërinë nuk mund të lexohet me krenari, por përveç faktit të liberalizimit të vizave ajo është një bllok i tërë detyrash për t’u realizuar me transparencë të plotë.

“Rezoluta nënvizon se zgjedhjet dështuan, pikërisht për arsye të mungesës së transparencës, madje ajo shpreh keqardhjen për faktin se në takimet e zhvilluara në komisionin e ligjeve para 18 marsit, mazhoranca dhe opozita nuk e gjetën kompromisin për hetimin e zgjedhjeve”, deklaroi Rama.

Sipas Ramës projektrezoluta nënvizon domosdoshmërinë e një sistemi drejtësie efiçent, transparent e të pavarur, që është themeli për shtetin ligjor.

Në takimin e përjavshëm me gazetarët, Rama bëri apel edhe për votimin e djeshëm të ndryshimit të rregullores, pro votimit të hapur të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese.

“Ato janë ndryshime themelore të kushteve të bashkëjetesës mes mazhorancës dhe opozitës, në një kuvend që është kthyer në kazermën e Berishës dhe Topallit, ndaj dhe ne do të reagojmë me forcë ndaj këtij grushti në dëm të drejtësisë, dhe që i jep një grusht të fortë edhe qytetarit që kërkon drejtësi”, deklaroi Rama.

Sipas Ramës, opozita do t’i bëjnë një rezistencë të fortë këtij akti brutal, siç e quajti ai të votimit për ndryshimin e rregullores.

Rama theksoi se tashmë kauza e PS-së, transparenca është më e prekshme se kurrë, një kauzë që do të shënojë një betejë në vazhdim.

KOMENTE