English

Rexhepi:Kosova po kthehet në një treg narkotikësh

Prishtinë, 25 qershor, NOA - “Kosova, nga një vend tranzit i transportimit të drogës, po shndërrohet në një vend konsumues të narkotikëve”.

Kështu ka deklaruar sot, në ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, në një aktivitet për Ditës Ndërkombëtare Kundër Drogave.

Sipas kreut të dikasterit të Brendshëm të Kosovës, tashmë Kosova është kthyer në një treg të narkotikëve.

Duke e cilësuar një dukuri në rritje, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se konsumimi i drogës në Kosovë është në rritje në hapësirat e shkollave të mesme, atyre fillore, veçanërisht në shkollat e kryeqytetit, Prishtinë.

Sipas Rexhepit, grupet e ndryshme kriminale që janë të ndërlidhura me rrjetet e narkotikëve të rajonit, janë duke vepruar fort në territorin e Kosovës.

Në takimin ku merrte pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ky i fyndit deklaroi se qeveria e tij ka aprovuar strategjinë kombëtare dhe planin e veprimit kundër drogave, një zotim ky që sipas Thaçit do të zbatohet nga të gjitha mekanizmat e shtetit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përgjegjshme në përmbushjen e të gjitha obligimeve që dalin nga kjo strategji, duke përfshirë edhe buxhetin përkatës për implementimin e saj. Mekanizmat tanë shtetërorë duhet të vazhdojnë që me profesionalizëm të udhëheqin implementimin e kësaj strategjie dhe të jenë mirënjohës për ndihmën profesionale të aktorëve të tjerë ndërkombëtarë apo vendorë”, nënvizoi kryeministri i Kosovës.

Në këtë takim zyrtarët e lartë thanë se gjatë periudhës shtator 2009 deri në qershor 2010, Drejtoria e Hetimeve të trafikimit dhe Narkotikëve në Policinë e Kosovës, ka arritur të konfiskojë rreth 27 kilogramë substancë narkotike të llojit heroinë dhe mbi 188 kg marihuanë, si dhe droga të tjera në sasi më të vogla.

Rishtas, institucionet e Kosovës, u zotuan se do të jenë shumë më aktive në luftimin e trafikimit me lëndë narkotike.

mit/NOA
KOMENTE