English

Vlorë: Uidhers, Nderim Për Historitë Njerëzore

VLORË, 25 Qershor/ATSH-H.Koçi/.- Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Xhon Uidhers, gjatë vizitës në qytetin e Vlorës, vizitoi sot Bibliotekën Publike "Shevqet Musaraj", ku u takua dhe bashkëbisedoi me një grup intelektualësh dhe lexuesish, frekuentues të Këndit Amerikan të Librit, që funksionon në këtë institucion. Ambasadori Uidhers vlerësoi se çelja e Këndit Amerikan të Librit në Vlorë, lidhet me simbolikën dhe marrëdhëniet e miqësinë me popullin amerikan. Gjatë bashkëbisedimit me të pranishmit, shkrimtarë dhe lexues vlonjatë, ai u ndal në disa çështje, mes të cilave edhe ajo e genocidit ndaj popullsisë çame. Duke iu përgjigjur një pyetjeje që lidhej me këtë fakt, Uidhers nënvizoi se, "mikpritja e popullit të Vlorës në këtë drejtim, shpalos në tërësi vlerat e popullit shqiptar. Histori të tilla nuk janë të njohura aq sa duhet jashtë Shqipërisë, ndaj ato duhet të njihen edhe më tepër". Uidhers tha se po bëhen përpjekje për të ndërtuar një memorial në Tiranë në nderim të përpjekjeve për mbrojtjen e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Lidhur me periudhën e komunizmit, privimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, Ambasadori i SHBA në Tiranë nënvizoi se, "regjimet komuniste në mbarë botën dhe në Shqipëri, janë përpjekur që të fshijnë historinë dhe të shtrembërojnë realitetet njerëzore". Gjithashtu Ambasadori Uidhers vizitoi dhe Qendrën "Vatra" ku trajtohen vajzat që janë viktima të trafikut. Ai vlerësoi kontributin e zonjës Vera Lesko, drejtuese e qendrës, e cila është nderuar për kontributin e saj edhe nga Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillari Klinton. Ndërsa Vera Lesko, tha se "gjithçka është bërë për të rehabilituar viktimat e trafikut të femrave dhe për integrimin e tyre në shoqëri, nuk mund të realizohej pa mbështetjen amerikane". Gjatë qëndrimit në qytetin e Vlorës, Ambasadori i SHBA-së Uidhers, vizitoi edhe mjediset e Muzeut të Pavarësisë Kombëtare, ndërkohë që zhvilloi edhe një takim me përfaqësues të familjeve që kanë ndihmuar hebrejtë gjatë Luftës së Dytë Botërore./n.m/
KOMENTE