English

Durrës: Arrestohen Dy Të Rinj, Vodhën Me Dhunë Autoveturën E Kosovarit

DURRËS, 26 Qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Dy të rinj nga Shijaku kanë përfunduar në pranga 30 orë pasi kishin grabitur nën kërcënimin e armëve autoveturën e një shtetasi kosovar. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë e Qarkut bënë të ditur se Luan Shahini, 20 vjeç, lindur dhe banues në Sallmone (Shijak) dhe 17-vjeçari L. Ll, lindur në Peshkopi dhe banues në Katër Rrugët e Shijakut, u arrestuan sot në orët e para të ditës, ndërsa janë bllokuar në cilësinë e provës materiale automjetet dhe armët, të cilat janë përdorur për të kanosur pronarin e mjetit. Burimet shtuan se të rinjtë janë arrestuar në Bulqizë, pas koordinimit të veprimeve me forcat policore të qarqeve të tjera gjatë operacionit të koduar "Aventura". Ngjarja ka ndodhur mesnatën e së enjtes në rrugën pranë Shkëmbit të Kavajës, 8 km larg Durrësit, kur të rinjtë që udhëtonin me autoveturën tip "Volvo", me targë BC 830 EA, i kanë zënë rrugën dhe kanë detyruar të zbresin dy shtetas kosovarë nga autovetura e tyre tip BMV. Pasi kanë furnizuar automjetin e vjedhur me karburant, pa e kryer pagesën në një nga distributorët e rrugës kombëtare Durrës-Tiranë, ata janë larguar në drejtim të paditur, thanë burimet e policisë. Pas arrestimit në qytetin e vogël verilindor të Bulqizës policia ka bllokuar në cilësinë e provës materiale të dy automjetet si dhe dy armë automatike me katër krëhër fishekësh, ndërsa të rinjtë nga Shijaku do të përballen me akuzën e vjedhjes me dhunë në bashkëpunim dhe armëmbajtjes pa leje. /s.s./
KOMENTE
  • Mafia Durrsit09:51 - 16 Korrik 2010
    Prap do dalin nucat mir ja kan bo kosovarve