English

Meta: Zgjedhjet Brenda Strukturave Të Lsi, Ridimensionim I Partisë Në Të Gjithë Vendin

TIRANË, 26 Qershor/ATSH/.-Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, theksoi sot, gjatë një takimi me strukturat e LSI-së në njësinë nr. 1 në kryeqytet, në të cilin ishin të pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm, Luan Rama dhe dy kandidatët për kryetar të degës së kësaj partie në Tiranë, Shezai Rrokaj dhe Edmond Panariti, se zgjedhjet brenda strukturave të LSI synojnë forcimin e partisë dhe përgatitjen për zgjedhjet e ardhshme lokale. Zyra e shtypit e kësaj partie bëri të ditur se z. Meta theksoi se ky proces do të sjellë një ridimensionim të LSI-së jo vetëm në kryeqytet, por në gjithë vendin. Pasi u ndal në fazën konkrete të zgjedhjeve brenda partisë dhe vlerësoi profilin intelektual dhe qytetar të kandidatëve për LSI-në e Tiranës, Panariti e Rrokaj, Meta tha se "ky do të jetë një proces i hapur, një proces që do të analizojë disa elementë së bashku dhe që do t'i shërbejë forcimit dhe konsolidimit të kësaj strukture, kaq të rëndësishme për të gjithë Lëvizjen Socialiste për Integrim në vend". Sipas z. Meta, "në gjithë këtë proces Lëvizja Socialiste për Integrim e kryeqytetit, përveç edhe problematikës që ka të bëjë me qeverisjen e vendit, me rolin dhe kontributin që LSI-ja ka dhënë aktualisht, por që mund të japë dhe duhet të japë akoma më shumë edhe në të ardhmen, do të ketë në qendër të vëmendjes edhe problematikën e shumtë vendore të Tiranës, por edhe të gjithë komunitetit dhe komuniteteve të veçanta të saj". Nga ana tjetër, z Meta vlerësoi se në gjithë vendin, zgjedhjet për strukturat e LSI-së "do të zhvillohen me transparencë", duke evidentuar nivelin e lartë të demokracisë së brendshme në parti. Kreu i LSI-së theksoi se problematika e pushtetit vendore dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve do të jetë fokusi ku do të përqendrohen platformat e kandidatëve të LSI-së për kryeqytetin, por edhe për gjithë pushtetin vendor. /s.s./
KOMENTE