English

Presidenti Sejdiu Zhvilloi Takime Me Presidentët Ivanov, Topi E Vujanoviç

PRIZREN, 26 Qershor/ATSH-B. Jashari/.- Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, në kuadër të takimit të liderëve të rajonit, zhvilloi sot takime të veçanta me Presidentin e Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, dhe Presidentin e Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviç. Zyra e shtypit e Presidencës kosovare bëri të ditur se Presidenti Sejdiu falënderoi presidentët Ivanov, Topi e Vujanoviç për vizitën dhe pjesëmarrjen në takim, që është vazhdimësi e takimeve të liderëve të rajonit, të mbajtura në Vlorë e Ohër, të cilat janë dëshmi e marrëdhënieve shumë të mira mes vendeve dhe në funksion të zgjerimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Në takimin Sejdiu-Ivanov u vlerësua se Kosova dhe Maqedonia kanë marrëdhënie shumë të mira midis tyre. Ato nuk kanë asnjë çështje të hapur, por kanë shumë çështje të përbashkëta dhe kanë nënshkruar një varg marrëveshjesh bilaterale në shumë fusha. Presidenti Ivanov theksoi nga ana e tij se politikat strategjike të Kosovës janë politika strategjike edhe të Maqedonisë, si dhe theksoi synimet e të dyja vendeve për t'u integruar sa më parë në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Presidenti Sejdiu theksoi se Kosova dhe Maqedonia janë përcaktuar për paqe dhe bashkëpunim dhe ato tashmë janë një model i mirë për bashkëpunimin rajonal. Edhe në takimin me Presidentin Topi, Presidenti Sejdiu vlerësoi ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme që Republika e Shqipërisë i ka dhënë dhe po i jep Republikës së Kosovës. Të dy presidentët kanë theksuar marrëdhëniet shumë të mira midis vendeve, marrëdhënie këto të konkretizuara me shumë marrëveshje të nënshkruara për bashkëpunim në shumë fusha. Ata kanë theksuar mbështetjen e dyanshme dhe shfrytëzimin e përvojave në procesin e integrimit në institucionet euroatlantike. Tema të njëjta janë diskutuar edhe në takimin e Presidentit Sejdiu me Presidentin e Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviç. Presidenti Sejdiu e falënderoi z.Vujanoviç për përkrahjen që Mali i Zi i ka dhënë Kosovës në periudhën e zhvillimeve të rëndësishme për vendin tonë dhe përkrahjen e vazhdueshme në drejtim të synimeve për integrimet evropiane dhe liberalizimin e vizave. Temë e të gjitha takimeve ishin fushat në të cilat mund të zgjerohet edhe më tej bashkëpunimi. Në këtë plan u theksua nevoja e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, në liberalizimin e lëvizjes së qytetarëve, në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar e fusha të tjera. Presidenti Sejdiu ka përsëritur edhe një herë idenë e krijimit të një Minishengeni për lëvizje të lirë të qytetarëve të rajoni. Pas takimeve veç e veç presidentët drekuan së bashku në Prizren, ndërsa pas orës 15:00 nisën takimin e përbashkët, për ta përmbyllur me konferencën e përbashkët për media. /s.s./
KOMENTE