English

Shkembimet Tregtare Me Kosoven Njohin Rritje

-Rruga Durrës-Kukës-Morinë pritet të rrisë shkëmbimet tregtare- TIRANE, 26 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/.- Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me Kosovën u rritën gjatë katërmujorit të parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, gjatë 4-mujorit të parë të vitit 2010 volumi tregtar mes dy vendeve arriti në 3.510 milionë lekë. Eksportet shqiptare drejt Kosovës arritën në 2.412 milionë lekë. Me të njëjtin ritëm rritje janë shoqëruar edhe importet nga Kosova. Vlera e produkteve të importuara arriti në 1.098 milionë lekë, sipas INSTAT. Gjatë të njëjtës periudhë të një viti më parë (janar-prill 2009) vlera e produkteve të eksportuara arriti në 1.581 milionë lekë, ndërsa e importeve 539 milion lekë. Ekspertë të ekonomisë dhe tregtisë, janë optimistë për rritjen e eksporteve me ndërtimin e rrugës Durrës- Prishtinë. Megjithatë, ata vlerësojnë se Shqipëria duhet të rrisë potencialet e saj prodhuese për të shfrytëzuar një infrastrukturë më të mirë në të ardhmen. Sipas ekspertëve, "kushtet klimatike dhe temperaturat më të larta në vendin tonë, bëjnë që të gjitha produktet bujqësore të dalin në treg një apo dy muaj më parë se të njëjtat produkte në tregjet e fqinjëve kosovarë, maqedonas apo malazezë". Përmirësimi i infrastrukturës do të rrisë edhe sipërfaqet e mbjella, sipas tyre. Por, ekspertë të tjerë të tregtisë mendojnë se nevojitet të përmirësohen strukturat e mbjelljes dhe të përmirësohet marketingu i prodhimeve vendase. Vetëm në këto kushte, sipas tyre, prodhimet shqiptare do të mund të jenë më konkurrente në treg. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore pritet të sjellë një tjetër imazh në tregtinë që zhvillohet midis Shqipërisë dhe Kosovës. Referuar statistikave, vetëm në vitin 2009 import-eksportet me Kosovën ishin gati sa import-eksportet e viteve të fundit, 2003-2006. Gjatë vitit 2009 eksport-importet u llogariten 10.014 milionë lekë, kur në vitet 2003-2006 kjo vlerë shënoi 10.407 milionë lekë. Ekspertët vlerësojnë se rruga Durrës-Kukës do të ndryshojë gjendjen, duke bërë të mundur që edhe kontenieret e mallrave të rriten më tej. Por edhe vënia në efiçencë të plotë e dy pikave të reja të kalimit kufitar dhe shërbimit doganor në veri të vendit, konkretisht, Qafë Prush dhe Qafë Morinë, pritet t'i japë një impuls të ri marrëdhënieve tregtare mes vendeve tona, duke ndihmuar kështu ndjeshëm edhe banorët e zonave përrreth, pasi shkëmbimet e mallrave nëpërmjet këtyre dy pikave i lejon ata të sigurojnë mallra me kosto më të ulët, veçanërisht si rezultat i transportit, pasi lidhja me Kosovën për ta është më e lehtë dhe e shpejtë. Aktualisht, ka filluar të aktivizohet në mënyrë të konsiderueshme nxjerrja dhe eksporti i kromit në veri të Shqipërisë, në dy pikat doganore, atë të Qafë Prushit dhe Hasit, biznes ky që rezulton me fitime pas vlerësimit të tij në bursat ndërkombëtare. Shqipëria eksporton drejt Kosovës kryesisht produkte bujqësore e ushqimore, bitume dhe konfeksione dhe importon nga Kosova metale bazë. Por, ende nuk ka një profilizim të qartë të ekonomive, me qëllimin që ato të bëhen me kohë sa më komplementare. Ndërkohë edhe tregtarët hapjen e tunelit të Kalimashit e shikojnë me mjaft leverdi. Hapja e tunelit të Kalimashit ka bërë që të ulen 30 për qind shpenzimet e transportit për import nga Porti i Durrësit dhe të zvogëlohet koha për importimin e mallit në Kosovë, ndërsa edhe siguria e transportit të mallit është rritur dukshëm për shkak të minimizimit të aksidenteve dhe mosdëmtimit të tij. Tuneli i Kalimashit në segmentin rrugor Rrëshen - Kalimash është rihapur më 21 maj të këtij viti. Ai është një nga pjesët më të rëndësishme të autostradës Durrës - Morinë, që lidh Shqipërinë me Kosovën. Tuneli i Kalimashit ka një gjatësi 5.6 kilometra. /a.ke/
KOMENTE