English

Sport-Botëror/ Uruguai Tepër I Fortë Për Korenë E Jugut

TIRANË, 26 Qershor /ATSH- Gjergji Mima/ - Uruguai duhet t'i falet sulmuesit të saj Luis Suarez për kualifikimin e arritur me shumë vështirësi përballë Koresë së Jugut pas fitores 2-1. Në fakt takimi ka nisur në mënyrën më të mirë për amerikanojugorët, të cilët shënuan shumë shpejt, që në minutën e 8-të me anë të Suarezit, që përfitoi nga një dalje e gabuar e portierit koreanojugor, Jung, pas një topi të krosuar ulët në zonë nga Diego Forlan. Kur dukej se Uruguai do ta dominonte ndeshjen ka ndodhur krejt e kundërta. Koreanojugorët, që kishin goditur edhe shtyllën në minutën e 4-t nga një goditje dënimi e Park Chou, ishin mjaft të qartë në lojën e tyre dhe vunë disa herë në vështirësi portierin urguajan Muslera. Goli për Korenë e Jugut do të vinte në minutën e 68-të, kur mesfushori Lee përfitoi mjaft mirë nga një rrëmujë në zonën e Uruguait dhe nga një pasiguri e portierit Muslera dhe kapitenit Lugano. Por goli i barazimit duket se e vetkënaqi Korenë e Jugut që nuk sulmoi më, por e la lojën në dorë të uruguajanëve, të cilët falë aftësive individuale të sulmuesit Luis Suarez shënuan një gol maft të bukur në minutën e 80-të, duke mbyllur praktikisht takimin dhe duke u bërë ekipi i parë çerekfinalist i Kupës së Botës, "Afrika e Jugut 2010". Në çerekfinale Uruguai do të ndeshet me fituesin e çfitit që do të luajë sonte në orën 20:30 SHBA - Ganë. Uruguai - Kore e Jugut 2-1 Shënues: Suarez 8', 80/ Lee 68' Uruguai: Muslera, Maxi Pereira, Lugano, Godin, Fucile, Arevalo, Diego Perez, Pereira, Cavani, Forlan, Suarez. Trajner: O. Tabarez Korea e Jugut: Jung, D. Cha, Y. Cho, J. Lee, Y. Lee, S. Ki, J. Kim, P. Kim, J. Park, C. Lee, C. Park. Trajner: Jung Huh. /s.s./
KOMENTE