English

Nga Qafë-Bota, në 67 vjetorin e masakrës, çamët do të tubohen në Gumenicë

Qafë Botë, 27 qershor, NOA – 66 vjet pas deportimit me dhunë të çamëve muslimanë nga tokat e tyre, në Çamëri, Partia për Drejtësi dhe Unitet organizoi edhe këtë vit marshimin drejt “Qafë - Botës” në përkujtim “Masakrës Çame”.

Mijëra vetë nga të gjitha trevat shqiptare i janë bashkuar këtij marshimi drejt pikës kufitare të Qafë-Botës, me slogane në mbështetje të çështjes së pazgjidhur çame duke mbajtur edhe flamuj kuq e zi në duar.

Kryetari i PDU-së, Shpëtim Idrizi deklaroi para mijëra vetëve se kauza e çamëve është është gjithnjë e më pranë realizimit. “Ne, dy deputetë çamë, djemtë tuaj, jemi këtu për t’ju garantuar që, ne do punojmë pa u lodhur deri në arritjen e dhënies së drejtësisë për çështjen çame”, deklaroi deputeti i PDU-së, Idrizi.

Në këtë linjë ai tha se zëri i PDU-së, në plotësimin e kërkesave të ligjshme të popullsisë çame, bëhet çdo ditë e më i fortë në media e parlament.

Kreu i PDU-së, Shpëtim Idrizi iu drejtua nga Qafë-Bota bashkësisë ndërkombëtare dhe Qeverisë Shqiptare që t’i imponojë Greqisë, një shteti anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian kërkesat e popullsisë çame:

-Pranimin publik të fajit prej Greqisë, shtetit shkaktar të këtij geoncidi dhe kërkimin e faljes publike.

-Dëmshpërblimin për familjarët e viktimave të pafajshme të këtij gjenocidi.

-Mundësi për anëtarët e Komunitetit çam për të vizituar tokat dhe varret e të parëve. -Ngritja e lapidarëve apo monumenteve që nderojnë të vdekurit dhe të vrarët e asaj periudhe dhe heqjen e memorialeve të atyre që shkaktuan masakrat mbi popullsinë shqiptare çame.

-Restaurimin e së drejtës së pronësisë.

-Amendimin e ligjeve të vitit 1970-1980 në ato nene që ndalojnë ish-shtetasit grekë me kombësi shqiptare të rikthehen. Këto nene bien në kundërshtim me Deklaratën Universale të të drejtave të njeritu të OKB dhe Konventën Europiane të të drejtave të njeriut, që ndalojnë çdo lloj diskriminimi mbi bazën e kombësisë; -Realizimin e të drejtës së rikthimit në tokat e tyre duke rifituar statusin e para Luftës së dytë botërore.

-Ndalimin e diskriminimit të vëllezërve çamë ortodoksë, që jetojnë në trojet e tyre në Greqi dhe dhënien e të gjithë të grejtave si për çdo minoritet tjetër në përputhje me Konventën Ndërkombëtare për Minoritetet.

Kryetari i PDU-së, Shpëtim Idrizi i bëri një thirrje publike Tahir Muhedinit, drejtuesit të PDI-së, që të bashkohen në një parti të vetme për të mbrojtur çështjen çame bashkërisht.

“Unë nga kjo tribunë e të gjithë Shqiptarëve, i bëj një thirrje publike dhe Tahir Muhedinit, në emër të gjakut e amanetit të të parëve, të vijë e të bashkohet me ne, e bashkë me ne ta çojmë përpara këtë çështje”, apeloi Idrizi.

Në marshimin drejt Qafë-Botës përshëndetën dhe figura të njohura nga trevat shqiptare, si deputetja e Parlamentit të Kosovës dhe shkrimtarja e njohur, Flora Brovina, e cila deklaroi, se “çamët nuk janë vetëm në çështjen e tyre, por kanë mbështetjen e të gjithë popullit shqiptar kudo që ndodhet”.

Deputeti tjetër i PDU-së, Dashamir Tahiri deklaroi përpara mijëra pjesëmarrësve se vitin e ardhshëm marshimi i përvitshëm i çamëve do të zhvillohet në Gumenicë.

mit/NOA
KOMENTE