English

Sport-Botëror/Fifa Liston Ato Që Ndalohen Në Stadiume Gjatë Botërorit

T TIRANË, 28 Qershor /ATSH- Gjergji Mima/ - FIFA ka përcaktuar 20 gjërat që tifozët nuk mund të bëjnë brenda në stadium, duke vendosur në 10 stadiumet e Botërorit tabela të mëdha, që shpjegojnë se çfarë është e ndaluar dhe çfarë jo. E në të vërtetë, duket se bëhet fjalë për një sjellje më shumë se të çuditshme dhe që konfirmon se institucioni qendror i futbollit botëror synon më shumë paratë sesa spektaklin që krijohet në një Kupë Bote. Kështu, ndalohen të futen trombat e zhurmshme, por jo vuvuzelat, ndërsa një tjetër send i ndaluar madje janë karficat e femrave, por edhe çadrat. Në vend të parë të listës së FIFA-s qëndrojnë armët, më pas shishet, në vend të trete regjistruesit dhe telekamerat, në vend të katërt alkooli dhe droga, në vend të pestë bluzat me mbishkrime raciste. Një tjetër gjë e ndaluar është të futesh në fushë gjatë ndeshjes, ndërkohë që në vend të shtatë FIFA klasifikon ndalimin e futjes në stadium të flamujve më të mëdhenj se 2 metra me 1.5. Vendi i tetë u shkon materialeve publicitare, ndërsa në të nëntin vijnë çadrat, që njerëzit nuk mund t'i marrin në stadium. Po ashtu, ndalohen kaskat e motoçiklistëve si edhe paninet. Ndalohet gjithashtu futja në stadium e sendeve të mbushura me gaz, si edhe shashkat. Rregulli i 14-të ndërkohë është më i çuditshmi: nëse mendoni të ngriheni, gjatë ndeshjes duhet të qëndroni ulur. Po ashtu, në rregullin e 15-të ndalohen trombat dhe megafonët, por jo vuvuzelat. Një tjetër sanksion lidhet me shitjen e panineve në stadium, ndërsa rregulli i 17-të thotë se nuk mund të marrësh me vete një qen. Po ashtu, është i ndaluar transmetimi i imazheve të ndeshjes në internet, ndërsa femrat nuk mund të mbajnë karfica. Tabela e gjërave të ndaluara mbyllet me mbajtjen e shkallëve apo sendeve të tjera që nuk mund të futen poshtë poltronit ku ulesh. Ndërsa për pjesën tjetër, sipas FIFA-s mund të bësh ç'të duash./s.s./
KOMENTE