English

Kuci: Kosova Perfaqesohet Vetem Si Shtet I Pavarur Dhe I Barabarte Me Vendet E Tjera

PRISHTINË, 29 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ritheksoi qëndrimin institucional se Republika e Kosovës nuk do të pranojë të përfaqësohet si UNMIK, por vetëm si shtet i pavarur, e barabartë me vendet tjera. Këtë qëndrim Kuçi e ritheksoi në një pritje sot në Prishtinë për Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Hido Bishqeviq, ku u bisedua për rëndësinë dhe nevojën për një bashkëpunim rajonal dhe fqinjësinë e mire. Zyra e shtypit e qeverisë kosovare bën të ditur se në takim u diskutua edhe lidhur me bllokimin që i është bërë delegacionit të Republikës së Kosovës për të marrë pjesë në takime rajonale. Në këtë kuadër, Kuçi shprehu pakënaqësinë e tij për këtë qasje aspak dobiprurëse për thellimin e bashkëpunimit rajonal, por shprehu bindjen se kjo nuk do të lejohet të ndodhë në të ardhmen. Zëvendëskryeministri Kuçi gjatë takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Hido Bishqeviq, u shpreh për një qasje pragmatike që ka dëshmuar Republika e Kosovës gjatë gjithë kohës, me qëllim që të tregojmë vullnetin e mirë që kemi për bashkëpunim rajonal. Por, fatkeqësisht, ka shtuar Kuçi, jo të gjitha shtetet janë sjellë njësoj dhe për këtë arsye i kemi të bllokuara shumë iniciativa si, CEFTA, RESPA etj. Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Hido Bishqeviq, theksoi rolin që përpiqet te luaje Këshilli për Bashkëpunim Rajonal për të ndihmuar dhe përshpejtuar integrimin e rajonit sa më shpejt në Bashkimin Evropian. /a.ke/
KOMENTE