English

Spanjë - Shpërthimi Në Një Kazermë Pranë Madridit Shkakton Një Të Vdekur Dhe Gjashtë Të Plagosur

SPANJË, 29 qershor /ATSH-ANSA/ - Një shpërthim aksidental mëngjesin e sotëm i mori jetën një agjenti të "Guardia Civil" në kazermën e Valdemoros në Madrid, dhe plagosi gjashtë agjentë të tjerë, njoftoi e përditshmja "El Mundo" në botimin e saj elektronik. Sipas rindërtimeve paraprake të dinamikës së ngjarjeve, shpërthimi ndodhi rreth orës nëntë të mëngjesit në një zonë të kazermës ku zhvillohen stërvitjet për çaktivizimin e pajisjeve shpërthyese, pavarësisht se në momentin e aksidentit nuk po zhvilloheshin prova. Agjenti që humbi jetën u gjet nga zjarrfikësit nën rrënoja. Një koleg i tij u dërgua në spital për intoksikim nga tymi, ndërsa pesë agjentët e tjerë u mjekuan në vend pasi kishin marrë vetëm lëndime të lehta. Në fakt shpërthimi shkaktoi një zjarr të madh, që tashmë është vënë nën kontroll. Specialistët e çaktivizimit të bombave po punojnë aktualisht për të përcaktuar nëse ka rrezik për shpërthime të tjera, ndërsa hipoteza për një atentat të mundshëm është hedhur poshtë menjëherë. /e.v/
KOMENTE