English

Gjykata E Lartë/Kandidati Medi Bici Çel Seancat Dëgjimore Në Komisionin E Ligjeve

TIRANË, 30 Qershor/ATSH-Anila Struga/.- Komisioni parlamentar i ligjeve nisi sot seancat dëgjimore me kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë, të propozuar nga Presidenti i Republikës. Kandidati Medi Bici, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda, ishte i pari nga tre kandidaturat e propozuara Kuvendit, që përgjatë dy orëve iu nënshtrua seancës dëgjimore, një procedurë e brendshme parlamentare, para kalimit të dekreteve për votim në seancë plenare. Pas një prezantimi të shkurtër të jetës dhe karrierës, Bici iu përgjigj pyetjeve të shumta të deputetëve të dy palëve, për të krijuar një ide më të qartë mbi nivelin profesional dhe integritetin e tij si kandidaturë për një nga institucionet më të larta gjyqësore në vend. I pyetur se çfarë mendimi ka rreth vendimeve të Gjykatës së Lartë ai shprehu rezerva, duke u shprehur se "jo me të gjitha ato (vendimet) kam qënë dakord". Bici deklaroi se në karrierën e tij nuk ka pasur asnjë mbështetje nga politika dhe as ndonjë lidhje me të. "Besoj që përzgjedhja ime është bërë në bazë të meritës", tha ai. Gjatë seancës dëgjimore kandidati iu përgjigj pyetjeve të deputetëve mbi procedurën e re të votimit të hapur të dekreteve të Presidentit, për problematikat e sistemit gjyqësor në vend, sqarimeve për pasurinë e tij, etj. Seanca e sotme dëgjimore u cilësua nga përfaqësuesit e opozitës në komision si një "proces i montuar politikisht, që synon denigrimin e sistemit gjyqësor". "Denoncoj këtë proces, që do të përfundojë me votim të hapur në seancë plenare, duke iu përgjigjur kamxhikut politik të maxhorancës. Ky proces duhet kthyer në kornizat kushtetuese dhe Kuvendi nuk mund të merret me të, pasi ai duhet të shqyrtojë meritën e kandidatëve dhe jo t'i detyrojë ata që të konformohen politikisht me maxhorancën", deklaroi në mbledhjen e sotme të komisionit të Ligjeve, deputeti i PS-së, Saimir Tahiri. Në fund të mbledhjes kryetari i komisionit, Ilir Rusmali, i informoi deputetët se seancat dëgjimore me dy kandidatët e tjerë për anëtarë të Gjykatës së Lartë do të vijojnë të hënën e ardhshme me kandidatin Sokol Çomo. /s.s./
KOMENTE