English

Maturantët, sot provimi për lëndët me zgjedhje

Tiranë, 30 Qershor, NOA – Maturantët e të gjithë vendit po japin sot provimin e pjekurisë për lëndët me zgjedhje, pas testit të dhënë javëve të fundit për lëndën e Letërsisë dhe atë të Matematikës.

Këtë herë, bëhet me dijeni se testi do jetë ndryshe nga herët e tjera, pasi gjatë 4 orëve, do të jepen dy provimet e lëndëve me zgjedhje, që maturantët i kanë përzgjedhur kur kanë plotësuar formularin A1.

Në këtë mënyrë përmbyllet cikli i Maturës Shtetërore 2010, ndërsa specialistët e AVA-s edhe për këtë provim të fundit do të ndjekin të njëjtat procedura si në provimet e detyruara.

Fleta e provimit për një lëndë me zgjedhje përmban 20 kërkesa, kundrejt 25 kërkesave që përmbanin testet e detyruara të Letërsisë dhe Matematikës.

Nga totali prej 20 kërkesash, 10 prej tyre janë me përgjigje alternative dhe përbëjnë 10 pikë, ndërsa 10 janë me zhvillim dhe përbëjnë 30 pikë.

Provimet e lëndëve me zgjedhje do të zgjasin plotë katër orë, ku për secilën tezë provimi nxënësi ka në dispozicion dy orë kohë.

Kandidatët që duan të vazhdojnë studimet vetëm në programet e studimit në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve, në programin e studimit të Edukimit Fizik në Universitetin "Luigj Gurakuqi" Shkodër, si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" Elbasan mund të konkurrojnë në këto universitete dhe institute pa qenë të detyruar të japin provimet me zgjedhje, por këta kandidatë duhet të plotësojnë formularët përkatës sipas rastit.

n.e/NOA

KOMENTE