English

Qeveria rrit pensionet për 520 mijë qytetarë, 3-4 herë më shumë se inflacioni

Tiranë, 30 Qershor, NOA – Qeveria ka vendosur në mbledhjen e saj të sotme rritjen e pensioneve mujore për 520 mijë qytetarë shqiptarë, e cila është 3-5 herë më e madhe, se rritja e çmimeve nga muaji korrik i një viti më parë.

Një fakt i tillë citohet në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave, duke theksuar se “ai merret në përputhje me premtimin e bërë nga qeveria, në përputhje me mbajtjen e fjalës dhe në përputhje me parimin e qeverisjes me zemër të dhembshur”.

Ndërkaq, në mbledhjen e qeverisë u bë me dijeni se ministria e Financave do të sjellë këtë javë, edhe vendimin për rritjen e pagave, sipas përshkallëzimeve dhe parashikimeve të nevojshme.

“Me rritjen 1 herë bëhet indeksimi i çmimeve, ndërsa të gjitha rritjet e tjera janë shtesë reale mbi pensionin e tyre”, sqaroi vendimin në fjalë kryeministri Berisha.

Duke shtuar se “kjo rritje e pensioneve përshkallëzohet nga 6 përqind për pensionet e ulëta në tërësi, me një rritje prej 6140 lekë (të vjetra)”.

Sipas tij, kjo është një rritje e përfillshme, e përmuajshme dhe se nga rritja në këtë vlerë përfitojnë afërsisht 200 mijë pensionistë, ku 170 mijë pensionistë të fshatit do të kenë një rritje prej 10 përqind të pensionit të tyre, ndërsa pensionet e larta dhe ato suplementare rriten me 4 përqind.

“Natyrisht, ky vendim, - u shpreh kryeministri, - nuk merret pa vështirësi. Kriza europiane nuk është se nuk ka pasqyrimin e saj në ekonominë shqiptare, por ky vendim merret në përputhje me premtimin e bërë nga qeveria, në përputhje me mbajtjen e fjalës dhe në përputhje me parimin e qeverisjes me zemër të dhembshur. Nuk mund të ketë motiv më të madh moral, sesa ndjeshmëria dhe dhembshuria ndaj atyre që janë në nevojë, në marrjen e këtyre vendimeve, që dua të theksoj janë kundër rrymës”, përfundoi ai.

n.e/NOA

KOMENTE