Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Reportazh/ Himare: Ne Shpellen Ende Te Panjohur Te Spillese, Ku U Ndeshen Odiseu Me Ciklopin
English

Reportazh/ Himare: Ne Shpellen Ende Te Panjohur Te Spillese, Ku U Ndeshen Odiseu Me Ciklopin

HIMARË, 30 qershor/ATSH-H.Koçi/.- Në Shpellën e Spilesë në të dalë të Himarës gjatë kthimit të vet për në Itakë personazhi homerik Odiseu u ndesh me Ciklopin. Arkeologë italianë P.Markone dhe Ugolini në fillim dhe në fund të viteve 1920 e kanë përcaktuar si vendi ku u përballën personazhet homerikë. "Të dy eksploratorët e përfshinë Shpellën e Spilesë edhe në një guidë të asaj kohe", tregon historinai vlonjat Prof. Dr Bardhosh Gaçe, ndërsa shkojmë drejt shpellës, që për fat të keq, e pamirëmbajtur, mbetet e panjohur ende nga turistët. Shpella prehistorike me një jetë të provuar pothuajse 3000 vjeçare, në të dalë të Himarës së Re dhe 70 km në jug të Vlorës, ka emërtuar edhe lagjen Spile, vetem pak metra larg detit. Por identiteti, hershmëria dhe vlerat e jashtëzakonshme historike të Shpellës së Spilesë kanë mbetur në një errësirë pothuajse të plotë, pavarësisht se banorët e përmendin atë shpesh në bisedat e tyre. -Hyrja e shpellës, një vend i harruar- Edhe pse vetëm pak metra larg rrugës shumë afër qendrës së qytetit, Shpella e Spilesë nuk të krijon aspak përshtypjen e një mjedisi prehistorik me vlerat dhe trajtimin që duhet të ketë një objekt i tillë, i përmenduar nga Homeri dhe dhjetra studjues dhe historianë. Sheshi i vogël që e ndan nga rruga është mbuluar me gurë dhe gjithfarë mbetjesh të tjera, ndërsa hyrja është e zënë me një rrjetë teli dhe disa listela hekurash të ndryshkur. Historiani vlonjat, Prof.Dr.Bardhosh Gaçe, thotë se dikur, në hyrje të shpellës u vendos një pllakë e thjeshtë e cila përcaktonte se, ajo shpallej nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, "Monument Kulturor, Natyror Prehistorik". Por, kjo pllakë nuk është më. Tentativat e disa personave për të ndërtuar para saj një lokal, apo hotel(!) e zhdukën edhe këtë provë konkrete të hershmërisë dhe vlerave të jashtëzakonshme historike të Shpellës së Spilesë. Për të hyrë brenda mjedisit të saj duhet të largojmë dy prej listelave të hekurta dhe të depërtojmë mes disa shkurreve, duke u kujdesur të mos gërvishtemi, ndërsa era e pakëndshme myshku dhe mbetjesh të tjera organike nga njerëz të papërgjegjshëm janë ngacmimi i parë që marrim në këtë mjedis. Është një hapësirë e konsiderueshme shpella që në këtë pjesë të dukshme, arrin një lartësi deri në 2-3 metra. Në dysheme, spikat myshku dhe në tavan e në faqet anësore, lagështia. Brenda saj ndesh edhe stalakmitet e stalaktitet, të formuara në shekuj si një dukuri natyrore tipike për shpella prehistorike. Pikat e ujit, që vijnë nga lart, e plotësojnë paksa këtë mjedis, që krijon ndjesinë e ngjarjeve zhvilluar brenda tij. Pasi merr një gjerësi të plotë dhe në formë vezake, shpella vjen duke u ngushtuar dhe në fund të pjesës së dukshme dhe të ndriçuar të saj, krijon një "xhep", një si lloj kthine, që të pengon të ecësh më tej. "Pas kësaj vjen pjesa tjetër dhe kryesore e shpellës, e cila shkon deri në një thellësi prej 1500 metrash", thotë Gaçe, që na shoqëron në këtë "udhëtim prehistorik". Për të vazhduar rrugëtimin brenda saj, na mungojnë mjetet e ndriçimit dhe sigurisë, që në këto raste janë të nevojshme. Gaçe tregon se, dikur, në fund të viteve 1980-të së bashku me një grup të Akademisë së Shkencave e eksploruan shpellën deri në fund, ku u gjetën edhe prova të jetës më shumë se 7 shekullore përpara Krishtit. -Në 1987, Shpella e Spilesë merr statusin "Monument Kulture, Natyror Prehistorik- Në vitin 1987, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, i dha kësaj shpelle statusin "Monument Kulture, Natyror Prehistorik". "Ishte një vendim me nismën e prof. Aleks Budës", thotë Gaçe. Në hyrje të shpellës u vendos edhe një pllakë. Por, vetëm kaq. Vlerat e jashtëzakonshme historike të shpellës së Spilesë mbetën brenda tisit të harresës. Askush nuk u kujtua më për të. "Pas viteve 1990-të, njerëz të papërgjegjshëm u munduan ta zhduknin edhe gjurmën e fundit të kësaj shpelle, hyrjen e saj, duke ndërtuar një objekt shërbimi, që do të ishte goditje ndaj vlerave tona", thotë prof.Gaçe. Por, fatmirësisht, më pas ky objekt u shemb. Shpella e Spilesë nuk është promovuar aspak për vlerat që mbart dhe që do t'a bënin një objekt me rëndësi të jashtëzakonshme në fushën e resurseve kulturore, historike në funksion të turizmit. "Nuk ka askund tjetër një objekt të tillë, me një vlerë të shumëfishtë prehistorike, e përshkruar nga Homeri për protagonizmin e personazheve të antikitetit", thotë prof.Gaçe. -Shpella e Spilesë, në veprat e më shumë se 17 studiuesve të huaj dhe shqiptarë- Teksa kthehej fitimtar nga lufta e Trojës në udhëtimin e vet drejt Itakës, Odiseu, një nga protagonistët e kësaj lufte, u ndal këtu në këtë shpellë, ku zhvilloi përballjen e famshme me Ciklopin, banorin e saj. Prof.Dr. Bardhosh Gaçe, thotë se për identitetin e kësaj shpelle, si vendi real ku u zhvilluan këto ngjarje, kanë shkruar të paktën 17 studiues të huaj dhe shqiptarë. Përmend Rilindasit tanë, mes të cilëve, Jeronim De Radën, që e përshkruan të plotë Shpellën e Spilesë, në "Kimerën e dikurshme". "Pas tij, janë eksploratorët arkeologë të njohur, P.Markone në fillim të viteve 1920 dhe Ugolini në fund të viteve 1920, që në përshkrimet e tyre e përcaktojnë identitetin e shpellës si vendi ku u përballën personazhet homerikë", thotë Gaçe. "Këta dy eksploratorë e përfshinë Shpellën e Spilesë edhe në një guidë të asaj kohe", tregon Gaçe, që shton krahas këtij fakti edhe vetë Homerin, i cili, sipas tij, e përshkruan qartë shpellën si vendi ku u ndeshën dy personazhet e tij, Odiseu dhe Ciklopi, në "brigjet e Kimerës"(Himara e sotme). Historiani vlonjat veçon dhe aktorin e famshëm me origjinë shqiptare, Bekim Fehmiu, që luajti rolin e Uliksit në filmin "Odiseu" . "Ishte një studiues i pasionuar i historisë. Në studimin që kishte bërë, duke u nisur nga autorë të ndryshëm të antikitetit, mes të cilëve edhe Homeri, kishte arritur në përfundimin se Shpella e Spilesë ishte pikërisht vendi ku ishin ndeshur Odiseu me Ciklopin. Këtë Bekim Fehmiu m'a deklaroi gjatë vizitës në fund të muajit gusht 2006 në Shpellën e Spilesë, ku donte të kishte një kujtim, një fotografi nga shpella me një histori thuajse 3000 vjeçare", thotë Prof.Dr.Bardhosh Gaçe./n.m/
KOMENTE