English

Rusia: SHBA të na japë sqarime për 10 të arrestuarit si agjentë

Moskë, 30 Qershor, NOA – Arrestimi i 10 personave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si të dyshuar të agjenturave ruse, duket se i ka lënë një shije mjaft të keqe Rusisë, e cila ka kërkuar menjëherë sqarime për këtë ngjarje.

Nga ana e saj, ministria e Jashtme e Rusisë ka pranuar se disa prej spiunëve të dyshuar të arrestuar në Shtetet e Bashkuara, janë shtetas rusë, por ka insistuar se ata nuk kanë bërë asgjë për t’i dëmtuar interesat e Shteteve të Bashkuara.

“Rusia pret që Shtetet e Bashkuara të tregojnë mirëkuptim, duke marrë parasysh karakterin pozitiv të shkallës aktuale të zhvillimeve të raporteve ruso-amerikane”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.

Një fakt të tillë, kryeministri rus, Vladimir Putin, ia komunikoi edhe ish-presidentit amerikan, Bill Klinton, i cili ishte në Moskë për të marrë pjesë në një konferencë për investime.

“Po shoh se policia juaj ka lëvizur dhe i ka burgosur disa njerëz dhe mendoj se kjo është punë e tyre. Shpresoj se trendi pozitiv në marrëdhëniet tona të dyanshme aktuale nuk do të dëmtohet nga këto ngjarje”, tha Putin.

Një koment të tillë ai e bëri në një kohë kur vetëm para pak ditësh u zhvillua takimi i lartë presidencial Obama-Medvedev në Shtëpinë e Bardhë, në kuadrin e një vizite tre-ditore të presidentit rus në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

n.e/NOA

KOMENTE