English

20 Vjetori I Hyrjes Ne Ambasada - Përpjekja E E Madhe E Rinise Shqiptare Per Te Shembur "Murin E Berlinit" Ne Shqiperi

TIRANË, 1 Korrik/ATSH-Maela Marini/.- Jubileu i 20 vjetorit të ngjarjeve të ambasadave, një ngjarje që shënoi fillimin e përmbysjes së komunizmit në Shqipëri, do të kujtohet sot, me një miting të organizuar në "Qytetin Studenti", në Tiranë. Mitingu që do të nisë rreth orës 19:00, hap siparin e një serie aktivitetesh për të kujtuar 2 korrikun e vitit 1990, kur mijëra qytetarë shembën "Murin e Berlinit", në Tiranë, duke hyrë në territorin e ambasadave të vendeve të lira. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së (28 qershor), Kryeministri Berisha tha se "jubileu i 20 vjetorit të kësaj ngjarje të madhe, që përmbysi epoka dhe sisteme përbën përpjekjen e madhe të rinisë shqiptare për të shembur Murin e Berlinit në Tiranë". Duke e konsideruar 2 korrikun një datë të shënuar në historinë e demokracisë së këtij vendi, Berisha tha se "u përzgjodh Qyteti 'Studenti' për ta nderuar këtë datë, sepse në dallim nga të gjitha vendet e tjera ish- komuniste, regjimi diktatorial ia doli ta rivendosë Murin e Berlinin me terror, dhunë dhe ekzekutime". "Qindra të rinj shqiptarë u ekzekutuan në kufij për fajin e vetëm se u nisën drejt botës së lirë, trupat e tyre u zvarritën në Sarandë, në Shkodër e qytete të tjera. Regjimi bëri çdo përpjekje për të ngritur dhe mbajtur Murin e Berlinit në këtë vend", tha Berisha. Një përpjekje, që sipas Kryeministrit, "nuk zgjati shumë, sepse në dhjetor 1990 rinia studentore shqiptare bëri historinë e këtij kombi, duke rrëzuar në mënyrë përfundimtare perden e hekurt dhe themeluar pluralizmin në këtë vend". "Muri i Berlinit shtrihej nga Kanali i Korfuzit deri në Ngushticën e Beringut, por nuk ka mëdyshje se pjesa më me gjemba dhe më mizore e këtij muri, kalonte nga Shqipëria", tha Berisha./a.gj/
KOMENTE