English

Kodheli:20 vjet pas eksodit dhe ëndrrës për demokraci, shqiptarët kërkojnë transparencë

Tiranë, 1 korrik, NOA – Duke e nisur fjalën e saj në seancën e sotme parlamentare pikërisht me përkujtimin e 20 vjetorit të eksodit të shqiptarëve që vendosën të ndaheshin nga e shkuara komuniste përdrejt demokracisë, deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli rishtas apeloi se sot shqiptarët më shumë se kurrë kërkojnë të dinë si do të jetë e ardhmja e tyre dhe për këtë duhet vetëm transparencë, transparencë me votat, transparencë me shifrat, transparencë me drejtësinë, pasi vetëm ideali i transparencës do të na afronte sadopak me Evropën.

“Ishin të shumtë ata që asokohe besuan me idealizmin dhe naivitetin e një populli që për herë të parë prekte lirinë pas dekadave të gjata të diktaturës, se kjo do të ishte një rrugë e lehtë dhe e shpejtë. Por, ja ku jemi sot, 20 vjet më vonë, ndërkohë që një brez i tërë ka lindur e është rritur pa jetuar as edhe një ditë të vetme nën diktaturën komuniste dhe Shqipëria është ende shumë larg realizimit të ëndrrave te saj”, deklaroi nga foltorja e Kuvendit deputetja Kodheli.

Deputetja socialiste ritheksoi atë që tashmë është bërë kryefjala e gjuhës politike mes opozitës dhe mazhorancëës, se “Shqipëria është ende e varfër dhe shqiptarët janë ende populli më i varfër në Evropë. Sot Shqipëria është po aq larg ndërtimit të një demokracie funksionale dhe konsolidimit të shtetit të së drejtës sa ç’ishte dhe dy dekada më parë. Dhe sot 20 vjet më vonë Shqipëria gjendet në zgripin e një krize të gjithanshme që përbën komentin më të hidhur të mungesës së maturisë demokratike dhe pazotësisë menaxhuese”.

Pas deputetes Vasilika Hysi, edhe Mimi Kodheli vlerësoi se raporti më i fundit i Freedom House parashtron një sërë problemesh serioze mbi situatën e demokracisë në Shqipëri, si dhe ngre një sërë pikëpyetjesh shqetësuese mbi tendencën në rënie që po ndjek zhvillimi demokratik i vendit nën qeverisjen e Berishës dhe te mazhorancës së djathtë.

Sipas Kodhelit, “të gjitha veprimet e dëshpëruara të qeverisë së sotme i tregojnë qartë çdo shqiptari papërgjegjshmërinë e një kryeministri që as nuk do as nuk mundet ta zgjidhë krizën”.

Duke folur me gjuhën e shifrave, nënkryetarja socialiste e Komisionit të Ekonomisë, tha ndër të tjera se “Qeveria e tij ka dalë të lypë para nëpër rrugë. Eurobondi që erdhi si “barka e shpëtimit”, është abandonuar tashmë; ndërsa trysnia është transmetuar te bankat e nivelit të dytë që po financojnë defiçitin buxhetor të qeverisë dhe po braktisin kredinë për biznesin vendas”.

“Që prej 1 janarit të vitit 2010, qeverisë i mungojnë 12,4 miliardë lekë në arkën e shtetit, nga vjelja e munguar e të ardhurave tatimore. Që prej 1 janarit deficiti buxhetor është 11,6 miliardë lekë duke tejkaluar me 55 % edhe vetë programin e qeverisë. Që prej 1 janarit qeveria Berisha duhet te kishte paguar 1,1 miliard lekë kompensim ish-pronarëve, të përndjekurve dhe atyre që kompensohen për energjinë, ndërkohë që qeveria rrit pensionet me 6,000 lekë pasi ka rritur me 30,000 lekë faturën e energjisë”, nënvizoi deputetja Mimi Kodheli.

Deputetja e Partisë Socialiste deklaroi se opozita, mbetet alternativa serioze qeverisëse në vend, e cila nuk mund të mos vërë në dukje dhe të përpiqet të ndalojë me të gjitha mjetet demokratike, keq-qeverisjen dhe papërgjegjshmërinë e kësaj qeverie, që ka çuar në pikë të hallit familjet shqiptare.

mit/NOA

KOMENTE