English

Meta: Statusi i Kosovës dhe kufijtë e saj janë të pakthyeshme

Tiranë, 1 korrik, NOA – Ndërsa boritë e politikës së Serbisë bien për ndarjen e Kosovës apo shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta deklaroi sot për mediat se statusi i Kosovës së Pavarur dhe kufijtë territorialë të saj janë tashmë një çështje e pakthyeshme.

“Shqipëria mbështet fuqishëm shtetin e pavarur e sovran të Kosovës dhe integritetin e tij territorial. Statusi i Kosovës dhe kufijtë e saj janë çështje të mbyllura përfundimisht dhe të pakthyeshme”, deklaroi ministri i Jashtëm.

Sipas Metës, idetë e shfaqura nëpër media apo të frymëzuara nga politika e shtetit serb, për ndarje të Kosovës apo shkëmbim territoresh përbëjnë një rrezik serioz për paqen, sigurinë dhe stabilitetin, jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin tonë e më gjerë.

Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, theksoi bindjen e tij se “rruga për realizimin e aspiratës sonë të përbashkët evropiane dhe euroatlantike kalon vetëm përmes respektimit të plotë të kufijve ekzistues, tërësisë territoriale të njëri-tjetrit, si dhe përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal”.

mit/NOA
KOMENTE