English

Mjekësi - Shba-Metoda Të Reja Për Diagnostikimin E Kancerit Të Gjirit

UASHINGTON, 1 korrik /ATSH-MIA/ - Një teknikë eksperimentale mund të bëjë një ditë që të ulet numri i femrave me kancer në gji, të cilat i nënshtrohen biopsisë së gjirit për diagnostikimin e kancerit. Biopsitë kryhen kur mamografitë dhe ultratingujt nuk arrijnë të përcaktojnë nëse një kokërr në gji është apo jo tumor kanceroz. Shumica e këtyre biopsive nuk arrijnë ta gjejnë kancerin dhe për pasojë femrat kalojnë nëpër një proces që sjell stres dhe shpenzime të panevojshme. Shkencëtarët në Universitetin i Konektikatit morën në shqyrtim178 gra, të cilat iu nënshtruan skanimit duke përdorur një kombinim të ultratingujve dhe rrezeve infra të kuqe. Rrezet infra të kuqe u përdorën për të dalluar indet e shëndetshme nga ato kanceroze, sepse qelizat kanceroze janë më të ndjeshme ndaj këtyre lloj rrezeve. Autorët e studimit thonë se kjo teknikë eksperimentale jokirurgjike mund të ndihmojë radiologët për të vlerësuar tumoret me përmasa të vogla ose mesatare, që zbulohen me vështirësi me mënyrat tradicionale të diagnostikimit. Megjithatë, nevojiten prova të tjera klinike përpara se kjo teknikë e re të përdoret gjerësisht në diagnostikimin e kancerit të gjirit./ a.jor.
KOMENTE