English

Sport-Botëror/ Zbulimet E Botërorit, Talentet E Reja Në Qendër Të Merkatos Verore

TIRANË, 1 Korrik /ATSH-Gjergji Mima/ - Duhej të ishte botërori i Rooney, Messit apo Cristiano Ronaldos, por gjatë këtyre ditëve kemi parë të shkëlqejnë yje për të cilët ndoshta as që mund të kishim menduar se do të bëheshin protagonistë. Kaka dhe Torres na kanë zhgënjyer gjithashtu, por kemi pasur pak kohë për të menduar pse ata janë në hije, pasi yje të rinj i kanë eklipsuar. I pari në listë qëndron Mesut Ozil, 21 vjeçari gjerman me origjinë turke, i cili po i mahnit të gjithë me klasin dhe finesën e tij. Nuk do kishte luajtur si titullar nëse Ballack nuk do ishte dëmtuar dhe në njëfarë menyre bota e futbollit duhet të falënderojë Boateng që dëmtoi liderin e Gjermanisë. Para botërorit Verder Bremen e shiste 20 milionë, ndërsa tani nuk ka ndërmend ta largojë pa 30 milionë. Shoku i tij i skuadrës Thomas Mueller, një vit më i ri, ka treguar se është në nivel për të veshur një fanelë që peshon sa tre kupa bote. Ai po tregohet një lider i vërtetë në fushë dhe me dy golat ndaj Anglisë u tregua vendimtar dhe udhëheq sulmin e skuadrës së Loew. Para botërorit mund të blihej me 10 milionë, por tani vlen dyfish. 22 vjeçari i Ajaksit, Luis Suarez, çoi Uruguajin në çerekfinale me një supergol dhe vlera e tij aktuale është 20 milionë euro. Alexis Sanchez ka treguar se nuk është një lojtar që mund të luajë vetëm tek Udinese. Eshtë 21 vjeç, por kjo nuk e ka penguar të tregojë shpejtësi dhe teknikë marramendëse. Kartoni i tij vlen 20-25 milionë. Mesfushori brazilian Ramires është një tjetër zbulim. Milani ishte pranë 23 vjeçarit, vlera e të cilit është 12 milionë euro. Fabio Coentrao luan me Benfikën dhe është vetëm 22 vjeç por ka treguar se në krahun e majtë mund të bëjë gjëra të mëdha. Portugezët e shesin për 15 milionë. Eren Derdiyok, qëndërsulmuesi i Zvicrës, zotëron një teknikë të lartë dhe këtë e tregoi në ndeshjen kundër Spanjës. Tani luan tek Bayer Leverkusen, është 22 vjeç dhe vlen 12 milionë euro. Notë pozitive edhe për të riun e Meksikës, Javier Hernandez, i cili shënoi golin e parë kundër Francës dhe u dha një leksion të vërtetë futbolli argjentinasve në ndeshjen e 1/8-ave edhe pse skuadra e tij humbi 3-1. Ai u ble nga Manchester United për 7 milionë. Pablo Barrera është një tjetër meksikan i talentuar. 23 vjeçari luan në mesfushën e Pumas dhe vlerësohet 4 milionë. Japonezi Keisuke Honda do ishte një pazar me leverdi për skuadrat në kërkim të një sulmuesi. 24 vjeçari luan për CSKA-në e Moskës dhe për 6-8 milionë euro mund të largohet. Emri i fundit në listën e 10 të rinjve më premtues është kiliani Gary Medel. 1.72 i gjatë, aktivizohet në mesfushën e Boca Juniors dhe kushton 3 milionë euro. //s.s./
KOMENTE