English

Sport-Botëror/ Zhvillimet Më Të Fundit Në Botërorin "Afrika E Jugut 2010"

TIRANË, 1 Korrik Qershor /ATSH- Gjergji Mima/ - Javier Aguirre dha dorëheqjen nga detyra e trajnerit të kombëtares së Meksikës, pas skualifikimit nga Kampionati Botëror i Futbollit. Në ndeshjen e fundit, në fazën e dytë, Meksika humbi 3-1 ndaj rivales amerikano jugore, Argjentinës. "Përgjegjësi i vetëm për eliminimin jam unë. Duhet të largohem, është zgjidhja më e drejtë që më mbetet", tha trajneri që drejtoi Meksikën edhe në finalet e Botërorit 2002. Aguirre shtoi se e ardhmja e kombëtares meksikane është në dorën e lojtarëve të rinj. Paraguaji ndeshet të shtunën në çerekfinale me Spanjën dhe trajneri Gerardo Martino kërkon nga ekipi i tij të shënojë gola, për të siguruar vazhdimin e turneut. Martino udhëzoi mbrojtjen të jetë solide dhe të mos lejojë hapësira për të depërtuar. "Kundër Spanjës kemi nevojë për më shumë hapësirë, pasi kundërshtari do të luajë për fitore. Uroj që të na krijohet mundësia për të luajtur ndryshe dhe të mos vendosemi nën diktatin e rivalëve", tha Martino. Mesfushori i Gjermanisë, Bastian Schweinsteiger, bëri thirrje që arbitrimi në ndeshjen kundër Argjentinës të jetë sa më i drejtë. Dy ekipet, përveç se janë favoritë për titullin, ndajnë një histori të përbashkët në kompeticionet e mëdha, ku përballja më e fundit ishte 4 vjet më parë dhe përfundoi me penallti dhe incidente mes lojtarëve. "Nuk duhet t'i lejojmë vetes që të provokohemi. Shpresoj që arbitrat të mos lënë shkas, që lojtarët e Argjentinës të nxisin provokime", tha Schweinsteiger. Lojtari 25-vjeçar u shpreh se Lionel Messi nuk ështe lojtari i vetëm i rrezikshëm, por skuadra e tij duhet të përpiqet për ta bllokuar atë./s.s./
KOMENTE