English

Urdhri i Infermierit: Shkelje ligji, infermierët i punësojnë në spitale pa u regjistruar te ne

Tiranë, 1 Korrik, NOA – Megjithëse ligji ua ndalon punëmarrësve marrjen në punë të infermierëve dhe fizio-terapistëve pa u regjistruar më parë tek Urdhri i Infermierit të Shqipërisë, në shumë institucione shëndetësore në vend ndodh shumë shpesh që drejtuesit e tyre, në rolin e punëdhënësit, t’i punësojnë ata duke e shkelur këtë dispozitë të ligjit.

Madje ndonjëherë e bëjnë këtë edhe duke shkelur kërkesat që kërkohen sot për nivelin etiko-profesional të këtyre punonjësve.

Konfirmimi i një fakti të tillë bëhet nga presidenti i Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë, Sabri Skënderi, i cili pohon se ky shqetësim është ngritur në konferencat e fundit rajonale në qarqet Elbasan, Gjirokastër dhe Kukës, të zhvilluara prej këtij institucioni.

“Përvec realizimit të misionit të vet në këto konferenca, për rritjen e nivelit të standardeve infermieriore në vend, në mbyllje të tyre janë diskutuar edhe problemet që i shqetësojnë infermierët sot në këto rajone”, bën me dijeni ai.

Duke theksuar se “infermierët janë të shqetësuar sepse kërkojnë më tepër vlerësim, më tepër motivim dhe më shumë hapësira për përfaqësim në të gjitha nivelet e drejtimit të institucioneve shëndetësore. Ata mendojnë se realizimi i këtyre kërkesave do t’i shërbejë rritjes së cilësisë të kujdeseve infermierore”.

“Infermierët theksuan në këto konferenca se deri më sot, për gjithçka ndaj infermierëve, duke filluar që nga marrja në punë, heqja nga puna, ngritja dhe ulja në detyrë, lëvizja e tyre në shërbime të ndryshme; realizohet pa mendimin e tyre dhe pa pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje, gjë e cila duhet të ndryshojë sa më shpejt”, ka pohuar Skënderi.

Duke shtuar edhe faktin se një problem tjetër që doli nga këto konferenca është edhe ai i zbatimit me korrektësi i i ligjit për Urdhrin e Infermierit të Shqipërisë, jo vetëm nga profesionistët e kujdesit infermieror, por edhe nga drejtuesit e institucioneve shëndetësore.

Ndërsa në lidhje me arsimimin e infermierëve, Skënderi sqaroi se në këto konferenca u ngrit edhe ky problem, ku infermierët e vjetër kërkojnë vlerësim të formimeve dhe eksperiencës së tyre profesionale ndër vite, me kreditet e nevojshme ashtu siç ndodh në shumë vende të botës.

“Ata ngrejnë problemin se me një eksperiencë mbi 20-vjeçare, në punë, dhe me gjithë ato formime në mënyrë të vazhdueshme, që kanë realizuar dhe që vazhdojnë të realizojnë, nuk duhet të trajtohen me nivelin e krediteve sikur e mbarojnë sot shkollën e mesme profesionale. Por janë dakord që të hartohen programe part-time për të realizuar ato pjesë programesh të domosdoshme dhe plotësuese për realizimin e një kujdesi infermieror cilësor”, shtoi Skënderi duke sqaruar një çështje të tillë.

Duke sqaruar edhe se gjatë diskutimeve në konferencat rajonale, infermierët kërkuan kushte më të mira pune, mjedise higjenike dhe çlodhje në vendin e punës, veshje dhe mjete mbrojtëse në punë, si edhe sigurimin e materialeve të domosdoshme në mënyrë periodike për realizimin e një kujdesi infermieror cilësor ndaj pacientit.

“Sigurisht, që kërkesa e tyre kryesore mbetet motivimi i tyre financiar, me paga dinjitoze, duke vlerësuar punën e madhe që bëjnë dhe kërkesa e domosdoshme që ka jeta dhe familjet e tyre sot”, përfundoi presidenti i Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë, Sabri Skënderi.

n.e/NOA

KOMENTE