English

2 Korriku I Çeli Rrugën Një Kapitulli Të Ri Në Historinë E Shqipërisë, Kapitullin E Demokracisë

- Kryeministri Berisha priti në një takim një grup qytetarësh, të cilët ishin nga të parët që hynë në ambasadat e huaja në 2 korrik të vitit 1990 - TIRANE, 2 Korrik /ATSH/. - Kryeministri Berisha vlerësoi sot, gjatë një takimi me një grup qytetarësh, të cilët ishin nga të parët që hynë në ambasadat e huaja në 2 korrik të vitit 1990, se akti i tyre i çeli rrugën hapjes së një kapitulli të ri në historinë e Shqipërisë, kapitullin e demokracisë. Zyra e shtypit e Kryeministrit bëri të ditur se në mes tyre ishin zoti Edgar Çani, i cili hyri në ambasadën italiane së bashku me djalin 11 muajsh dhe pjestarë të tjerë të familjes, zoti Avni Delvina, piktor në profesion, i cili hyri në ambasadën italiane bashkë me gruan shtatzënë, zoti Armand Xhuli me bashkëshorten Vjollca, zoti Arian Bejko, i cili hyri në ambasadën gjermane si dhe zoti Agim Seitaj me bashkëshorten e tij, zonjën Manjola Tufina. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë për aktin e guximshëm të tyre, duke nënvizuar se "ky grup të rinjsh shqiptarë të atyre viteve kishin në gjirin e tyre njerëzit më të guximshëm, të cilët me sakrificën dhe idealet e tyre, i hapën rrugën ngjarjeve dhe zhvillimeve të mëvonshme të udhëhequra nga rinia e mrekullueshme shqiptare, që sollën mposhtjen e diktaturës dhe erën e demokracisë në Shqipëri". Gjatë takimit u diskutua me emocion për ngjarjet e atyre ditëve, vështirësitë, por edhe për vendosmërinë e të rinjve të korrikut '90 për të rezistuar ndaj presionit të diktaturës dhe për të çuar deri në fund idealet e tyre të lirisë. Përfaqësuesit e pjesëmarrësve të ngjarjeve të 2 korrikut '90 i shprehën mirënjohjen Kryeministrit Berisha dhe qeverisë shqiptare për përkujtimin me kaq dinjitet dhe respekt të kësaj ngjarjeje historike, si dhe për punën, përkushtimin e Kryeministrit Berisha për t'i ndryshuar faqen Shqipërisë dhe për të bërë realitet ëndrrat dhe idealet e tyre. Në fund të takimit ata i dhuruan Kryeministrit Berisha, në shenjë simbolike, fotografinë dhe dokumentin e Edgar Junior Çanit, djalit i cili festoi 1 vjetorin brenda mureve të ambasadës italiane dhe që sot, në vitet e demokracisë dhe lirisë, është një futbollist i talentuar në Itali. /s.s./
KOMENTE