English

Mbumk Forcon Masat Per Sigurine Ushqimore Gjate Sezonit Te Veres

TIRANE, 2 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/- Kontrolli i sigurisë ushqimore është kthyer në prioritet të punës së Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit me fillimin e stinës së verës dhe sezonit turistik. Aksione të përbashkëta në lidhje me sigurinë produkteve ushqimore gjatë procesit të prodhimit, përpunimit dhe shperndarjes së tyre në të gjithë vendin janë duke u zhvilluar në të gjitha qarqet nga grupe të përbashkëta pune, të përbërë nga autoritetet përgjegjëse nën MBUMK në bashkëpunim me Zyrat Veterinare Vendore, Inspektoriatin Sanitar Shtetëror në qarqe dhe të mbështetura nga policia bashkiake. Një ekip i përbërë nga përfaqësues të Drejtorisë së Sigurisë Ushqimore në MBUMK, AUK (Autoritetit Kombëtar të Ushqimit), Inspektoriatit të Sigurisë në Drejtorinë e Tiranës, të Higjienës nga Ministria e Shëndetësisë, Inspektoriati i Bashkisë së Tiranës dhe Policia Bashkiake, kanë ushtruar sot paradite një kontroll në tregun ushqimor te ish-uzina Dinamo ne kryeqytet, ku kostatuan se është përmirësuar puna për eleminimin e mbetjeve ditore teknologjike dhe është në përmirësim lëvizja e produkteve në treg me dokumentacion veterinar shoqërues. Ndërkohë që për rritjen e sigurisë ushqimore mbeten për t'u marrë masa në drejtim të përmirësimit higjieno-sanitar të tregtimit, kompletimit të dyqaneve me depozita uji etj. Në mënyrë specifike, gjatë kontrollit të sotëm u bë testimi i produktit "Djath i bardhë " për përdorim amidoni në teknologjinë e prodhimit. Në kete treg kryejnë aktivitet tregëtimi të nënprodukteve të qumështit rreth 37 subjekte, të cilët furnizohen me djathra nga i gjithë territori i vendit. Testimit iu nënshtrua i gjithë produkti "Djath i bardhë" me vlerë shitje 240-300 lekë kg, dhe në përfundim rezultoi se me amidon u gjendën dy operatorë: Agron Kalemi dhe Nevruz Xhemali -me nga 20 kg secili me burim furnizimi nga rrethi Shkodër. Për rastet e mësipërme u morën masa me gjobë 5.000 lekë secili. Gjatë kontrollit në treg u kap mjeti me targ SH 5129 D, me djath, prodhuar nga Ilir Luga nga Bushati, Shkodër, dhe nga testimi një pjesë e tij (rreth 50 kg) rezultoi me amidon. Produkti u kthye në destinacion. Përdorimi i amidonit në teknologjinë e prodhimit "Djath i bardhë" është i njohur nga që për efekt kostoje, konkurence dhe të një klientele të veçantë, ka hyrë në treg rreth viteve '95-'96, duke zëvëndësuar produktin "Qumësht pluhur", me origjinë nga lindja, që pas hapjes së tregut pësojë rritje të menjëhershme të çmimit, të pafavorshëm për përdorim. Inspektorët e ushqimit, duke vlerësuar problemin profesionalisht dhe ligjërisht, u kanë kërkuar subjekteve prodhuese që të vetëdeklarojnë në dokumentat e shoqërimit përdorimin e amidonit në teknologjinë e prodhimit, detyrim ligjor për të mbrojtur konsmumatorin nga fallsiteti. Deklarimi është detyrim ligjor edhe për tregtarët e shumicës e pakicës, të cilët duhet të afishojnë në etiketën e shitjes " Djath me përmbajtje amidoni". /a.ke/
KOMENTE