English

Vëzhgim/ Durrës: Në Shtëpinë E Pushimit Të Punonjësve Të Rendit, Një Realitet Ndryshe

DURRËS, 2 korrik /ATSH-Gëzim Kabashi/ - Mbi 400 pushues, kryesisht punonjës të Policisë së Shtetit dhe të ministrisë së Brendshme me familjarët e tyre, që dje kanë filluar të shijojnë pushimet në bregdetin e Durrësit falë strukturës së Shtëpisë së pushimit, e cila ndër vite ka ruajtur dhe përmirësuar karakteristikat e saj më të mira. Drejtori Musli Shala tha për ATSH-në se katër godinat e shtëpisë së pushimit janë të pajisura prej dy vitesh me të gjitha nyjet hidrosanitare, kondicionerë për çdo dhomë dhe cilësia e pushimeve është ndër më të mirat. Një personel prej 76 punonjësish janë në dispozicion të pushuesve, të cilët kanë hapësirat, komoditetet dhe mjediset tërheqëse jo vetëm në plazh, por edhe zonën e gjelbëruar, ku ndodhen godinat dhe tre restorantet, që plotësojnë paketën e pushimit me çmime simbolike për punonjësit e struturave të rendit dhe të MB. "Konvaleshenca" e rendit, një realitet ndryshe Shtëpia e pushimit të punonjësve të Ministrisë së Brendshme, e njohur si "Konvaleshenca e rendit" mbetet një nga oazet më të këndshme të plazhit të Durrësit, por investimet e viteve të fundit e kanë kthyer këtë kompleks turistik në një zonë mjaft të kërkuar edhe për shkak të çmimeve mjaft konkuruese. Sipas drejtorit Shala, pushimet masive kanë nisur që nga 21 qershori dhe do të vazhdojnë deri më 10 shtator. Kërkesat nga strukturat e MB dhe të policisë së Shtetit janë të shumta, ndërsa gjithçka është bërë gati si në zonën e plazhit ashtu edhe në territorin e godinave e të pushimit. Shala shpjegon se përveç pushuesve të prenotuar, që brenda pagesës modeste prej 1500 lek në ditë kanë në dispozicion veç ushqimit dhe fjetjes edhe lehtësi të tjera si çadrat dhe shezlongjet e plazhit, këndet e lodrave për fëmijët dhe dy bar-pistat në bregdet. Një pjesë e territorit të plazhit hapet për pushuesit ditorë që zgjedhin të vijnë në mjediset e shtëpisë së pushimit kundrejt nje pagese simbolike. Çdo ditë në zonën e rërës me sipërfaqe 3 ha dhe me cilësi mjaft të mira kanë pushuar edhe 1500-2000 pushues të tjerë familjarë, të cilët u shtohen rreth 400 pushuesve të prenotuar 10-ditorë. Sipas drejtorit Musli Shala, 74 punonjës, një pjesë e të cilëve punësohen gjatë sezonit të verës, kontribuojnë çdo vit në shërbimet e restoranteve, bareve, hoteleve, lulishteve dhe territorit të rërës. Ai shton se që nga korriku 2009 ka hyrë në funksionim hoteli nr 4 i shtëpisë së pushimit, i cili pas ndërtimit të godinës në fund të viteve 1980 ishte braktisur plotësisht. "Pas investimit prej rreth 150 milion lekë, hoteli 4-katësh përveç 70 dhomave me shërbimet hidrosanitare përkatëse, ka një sallë konferencash për 120 vetë, bar me kapacitet 300 vende dhe restorantin e pushuese të prenotuar. Është pajisur me gjithçka i duhet një strukture moderne pushimi," tha drejtori. Për të, standartizimi i gjithë shërbimeve është synimi kryesor i institucionit, i cili që nga viti 2006 funksionon përsëri si strukturë shtetërore, pasi i kanë krijuar përspektivë të sigurtë shtëpisë së pushimit të punonjësve të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit. Por mbi të gjitha, një shëmbull mjaft domethënës për ruajtjen e parametrave turistikë të kësaj zone në qendër të gjirit detar të Durrësit. Zona e Plepave, 3 km që shpëtuan nga ndërtimet pa kriter Afro 3 km vijë bregdetare në qendër të gjirit detar të Durrësit vazhdojnë të ruajnë karakteristikat e fundit të viteve 1950, kur zona nisi të përvijohet si plazhi më i frekuentuar në shkallë vendi. Interesimi për këtë territor kishte nisur që në mesin e viteve 1930, kur bashkia e Durrësit, me kërkesë të Mbretit Ahmet Zogu, hartoi planin rregullues të plazhit, ku një sipërfaqe e veçantë j'u la në përdorim familjes mbretërore për pushimet verore. Zona u quajt "Banjat mbretërore". Që nga sektori Iliria, 5 km larg qytetit deri në përroin e Plepave, aktualisht ndodhen njëra pas tjetrës rezidenca qeveritare, Shtëpia e Pushimit të Oficerëve të ministrisë së Brendshme, resorti turistik "Tropikal" që deri para 15 vitesh funksiononte si Shtëpia e Pushimit të Pionierëve dhe më pas, Selia e Komandës së Bashkuar Ushtarake, brenda së cilës ndodhet Shtëpia e Pushimit të Oficerëve të ministrisë së Mbrojtjes. Janë disa dhjetra hektarë plazhe të mrekullueshme, një thesar në zonën mes plazhit tradicional e të ngjeshur me pallate të Durrësit dhe zonës turistike problematike të krijuar rishtas përballë Shkëmbit të Kavajës. Pylli me pisha që shoqëron të gjithë vijën bregdetare deri te Shkëmbi i Kavajës, palmat e larta dhe lulishtet e mirëmbajtura në shtëpitë e pushimit të oficerëve si dhe pishinat dhe luksi i suitave në hotelet e rinj të resortit "Tropikal" e bëjnë zonën e Plepave një nga më të kërkuarat në plazhin që popullohet ne fundjavë me rreth 200 mijë pushues./ch/
KOMENTE